Pashkët Katolike/ Kreu i Vëllazërisë Ungjillore: Jezusi është gjallë dhe kjo është arsyeja që jep shpresë!

09/04/2023 09:14

Kreu i Vëllazërisë Ungjillore, Ergest Biti ka uruar të gjithë besimtarët katolikë për Pashkën.

Ai shprehet se po përballemi me sfida, largime, sëmundje dhe vdekje dhe se jemi të vetëdijshëm që këto do të ndodhin, sepse janë pjesë e ciklit të jetës që pas rënies së njeriut në mëkat.

Mesazhi i plotë:

Krishti është gjallë!

Në ditët që po jetojmë dëgjojmë për kaq shumë gjëra jo të drejta të ndodhin. Si njerëz përballemi me sfida, largime, sëmundje, vdekje. Jemi të vetëdijshëm që këto do të ndodhin, sepse janë pjesë e ciklit të jetës që pas rënies së njeriut në mëkat. Por edhe në mes të këtyre kohërave, ne kemi një lajm të mrekullueshëm. Krishti është gjallë! Vërtet i gjallë! Çfarë mesazhi të mrekullueshëm kemi sot! Ne jemi falenderues, që edhe në mes të kësaj bote të trazuar me probleme nga më të ndryshme, përsëri mund të festojmë dhe të shpallim Lajmin e Mirë, që ringjallja dhe jeta e re kanë thyer errësirën dhe vdekjen. Kjo është arsyeja që ne festojmë! Ne festojmë varrin e Jezus Krishtit bosh që do të thotë se vdekja nuk ka më fuqi! Ne festojmë Jezusin e Ringjallur!

Njerëz, ringjallja nuk është më vetëm dëshirë. Ringjallja është tërësisht thelbësore e realitetit të varrit bosh dhe ringjalljes së Krishtit. Bibla thotë se Ai u dorëzua në vdekje për mëkatet tona dhe u ringjall në jetë për pajtmin tonë. Ne jemi bërë të drejtë me Perëndinë për shkak të varrit bosh, sepse Jezusi u ringjall. Në fakt, shpëtimi ynë varet nga ky fakt dhe nga besimi ynë në Të. Bibla thotë se nëse rrëfeni me gojën tuaj, “Jezusi është Zot”, dhe besoni në zemrën tuaj se Zoti e ringjalli prej së vdekurish, ju do të shpëtoni.

Miq, ju sugjeroj që varri bosh të përfaqësojë për ju një zemër dhe jetë të zbrazur, por jo bosh. Guri, përfaqëson mëkatin që bllokon zemrën dhe jetën nga çlirimi. Perëndia, përmes Krishtit, e ka hequr atë gur! Liria është e mundur dhe ne kujtojmë këtë ditë e falënderojmë Shpëtimtarin për veprën e Tij.”

Në ditët tona më të errëta, Pashka na jep dritë. Në dekurajimin dërrmues, na jep besim. Në mes të humbjes shkatërruese, na jep gëzim. Në kohë përçarjeje, sjell unitetin që bashkon. Varri është bosh. Jezusi është gjallë dhe kjo është arsyeja që jep shpresë!

Le të gëzohemi në Ringjalljen e Zotit tonë Jezus Krisht!

Gëzuar Pashkën!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA