Takohen ambasadorja amerikane dhe diplomati rus, flasin për gazetarin e arrestuar të WSJ

07/04/2023 12:50

Ambasadorja amerikane në Rusi, Lynne Tracy, dhe zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, janë takuar më 6 prill, ku kanë diskutuar për gazetarin e Wall Street Journal, i cili u arrestua javën e kaluar në Moskë me akuza për spiunazh.

Kështu tha Ministria e Jashtme e Rusisë, ku sipas njoftimit thuhet se diplomati lartë rus i tha gjatë takimit ambasadores së SHBA-së se gazetari amerikan, Evan Gershkovich, “u kap në flagrancë teksa po përpiqej të merrte informacione sekrete, duke përdorur statusin e tij të gazetarit si mbulesë për veprime të paligjshme”. Wall Street Journal i ka mohuar këto akuza.

Akuzat për spiunazh të ngritura nga Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) – agjencia ruse për siguri dhe kundërzbulim që e ka pasuar agjencinë KGB të kohës sovjetike – Shtëpia e Bardhë i ka quajtur “qesharake”. Evan Gershkovich u arrestua në Yekaterinburg, qytetin e maleve Urale, teksa ishte duke raportuar për qëndrimin e rusëve ndaj luftës së Kremlinit kundër Ukrainës dhe ndaj grupit mercenar, Wagner.

32-vjeçari Gershkovich, i cili është shtetas i SHBA-së, mund të përballet me 20 vjet burg nëse shpallet fajtor për spiunazh. Gershkovich raporton për Rusinë dhe Ukrainën si korrespondent në zyrën e Moskës të Wall Street Journal.

Më 4 prill, një grup gazetarësh të pavarur rusë dhe figura publike u kanë bërë thirrje autoriteteve që ta lirojnë reporterin amerikan. Lirimin e tij e kanë kërkuar edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken./Rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA