Dhoma e Përfaqësuesve në Tenesi përjashton dy ligjvënës demokratë

07/04/2023 08:16

Dhoma e Përfaqësuesve në Tenesi përjashton dy ligjvënës demokratë

Republikanët nuk siguruan votat e mjaftueshme për të përjashtuar edhe ligjvënësen tjetër demokrate, Gloria Johnson.

Votimi 72-25 për përjashtimin e ligjvënësit demokrat Justin Jones ishte një veprim i jashtëzakonshëm që Dhoma e Përfaqësuesve në këtë shtet e ka përdorur vetëm disa herë që nga përfundimi i Luftës Civile Amerikane në vitin 1865. Në një votim tjetër, ligjënësit republikan e përjashtuan me shumicë votash edhe ligjvënësin demokrat Justin Pearson.

Dhoma e Përfaqësuesve votoi për përjashtimin e dy ligjvënësve demokratë, një javë pasi ata, së bashku me ligjvënësen tjetër demokrate, Gloria Johnson, gjatë një debati për armëmbajtjen u bashkuan me thirrjet e protestuesve në korridorin e ndërtesës për më shumë kontroll të armëve.

“Ne po e humbasim demokracinë tonë. Kjo nuk është normale. Kjo nuk është në rregull”, u tha Pearson gazetarëve. Tre ligjvënësit “thyen një rregull të Dhomës sepse ne po luftojmë për fëmijët që po vdesin nga dhuna me armë dhe njerëzit në komunitetet tona që duan të t’i japin fundi përhapjes së armëve në komunitetet tona. Dhe kjo çon në përjashtimin tonë? Kjo nuk është demokraci.”

Mijëra njerëz u dyndën drejt Kapitolit në Nashville për të mbështetur demokratët, duke brohoritur jashtë sallës së Dhomës së Përfaqësuesve aq fort sa zhurma e bëri pothuaj të pamundur që të dëgjoheshin procedurat nën shqyrtim.

Dy ligjvënësit e përjashtuar mund të mos jenë largë Dhomës së Përfaqësuesve për shumë kohë. Komisionet e qarqeve në rrethet e tyre duhet të zgjedhin zëvendësuesit e tyre deri në mbajtjen e zgjedhjeve speciale.

Ligjvënësit e përjashtuar kanë të drejtë të emërohen për të shërbyer përsëri në postet e tyre. Ata gjithashtu kanë të drejtë të kandidojnë në zgjedhjet speciale. Sipas Kushtetutës së shtetit Tenesi, ligjvënësit nuk mund të përjashtohen për të njëjtën vepër dy herë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA