Përpara ligjvënësve në Kuvendin e Kosovës, kryeministri i saj Albin Kurti u shpreh optimist e tha se institucionet janë duke bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për organizmin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, në 23 prill, në katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposavic.

I pyetur nga deputetët e opozitës në seancën e Kuvendit të Kosovës, shefi i ekzekutivit Kosovar sqaroi se është ndarë buxheti dhe janë marrë të gjitha masat dhe shtoi se askush nuk mund të cenojë të drejtën e qytetarëve për të zhvilluar një proces të rregullt zgjedhor.

“Atyre që cenojnë mbarëvajtjen e zgjedhjeve në veri do t’u përgjigjemi me forcën e ligjit”, tha Kurti.

Më tej, ai lavdëroi punën dy vjeçare të kabinetit qeveritar duke renditur arritjet që sipas tij, kanë sjellur ndryshimet cilësore në Kosovë.

“Super puna me 1500 vende të reja të punës për të rinjtë, nga mosha 18 deri 25 vjeçare. Pra 1500 të rinj të kësaj grup moshe janë punësuar. Qeveria për familjen edhe 1500 familje që kanë përfituar të kenë së paku 1 anëtar të punësuar, ka edhe më shumë se kaq familje që s’kanë asnjë anëtar të punësuar, por në mesin e tyre 1500 kanë përfituar tashmë. …. Në veri të vendit i kemi mbyllur 16 rrugë ilegale që janë përdorur për trafikim dhe kontrabandë. Kemi shkatërruar 83 grupe kriminale me pjesëtarë të të gjitha etnive”, shtoi Kurti.

Opozita e riktheu diskutimin tek zgjedhjet në veri. Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu – Shoshi u shpreh Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës është duke u përballur me probleme të shumta në procesin e organizmit të zgjedhjeve e këtu përmendi dërgimin e materialeve zgjedhore, pamundësinë e shfrytëzimit të qendrave të votimit si dhe mungesën e sigurisë.

Më herët, organizata joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV) hedh hije dyshimi mbi mundësinë e organizimit dhe mbajtjes së zgjedhjeve në veri të Kosovës në përputhje me standardet për zgjedhje të lira.

Sipas saj në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok, ku komuniteti serb përbën mbi 90 për qind të popullsisë, nuk është regjistruar asnjë kandidat nga radhët e komunitetit serb, e kjo rrezikon legjitimitetin e institucioneve që do të dalin nga zgjedhjet, pasi nuk garanton përfaqësim të drejtë të komunitetit serb.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA