Organizata joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV) hedh hije dyshimi mbi mundësinë e organizimit dhe mbajtjes së zgjedhjeve në veri të Kosovës në përputhje me standardet për zgjedhje të lira.

Sipas saj, rrethanat aktuale e vështirësojnë së tepërmi zhvillimin e një procesi demokratik në komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Leposavic, Zveçan dhe Zubin Potok, ku situate është mjaft e brishtë.

Me kërkesë të komunitetit ndërkombëtar, u vendos që zgjedhjet të mbahen në 23 prill. Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka refuzuar të marrë pjesë në zgjedhje deri në përmbushjen e dy kërkesave të saj: formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe tërheqjen e të gjitha njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.

Demokracia në Veprim thotë se në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok, ku komuniteti serb përbën mbi 90 për qind të popullsisë, nuk është regjistruar asnjë kandidat nga radhët e komunitetit serb.

Kjo situatë, sipas organizatës, rrezikon legjitimitetin e institucioneve që do të dalin nga zgjedhjet, pasi nuk garanton përfaqësim të drejtë të komunitetit serb.

Nga ana tjetër, për shkak të dorëheqjeve të zyrtarëve zgjedhorë të komunitetit serb, KQZ-ja po përballet me sfida në përgatitjet e nevojshme për këtë proces.

Serbët në veri dhanë dorëheqjen në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës nëntorin e vitit të kaluar- përfshirë kryetarët e komunave – si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS-Republika e Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA