Bill Klinton ndihet fajtor për vendimin e marrë shumë kohë më parë, padyshim me një qëllim të mirë, por me një rezultat që në rrjedhën e viteve, u dëshmua larg atij të dëshiruar.
Në një mea culpa të pazakontë, ish presidenti amerikan shprehu keqardhjen për rolin e tij në negocimin e marrëveshjes së vitit 1994, e cila e shtrëngoi Ukrainën të dorëzonte të gjithë arsenalin e saj bërthamor mes zotimeve se Rusia nuk do ta pushtonte kurrë fqinjin e saj më të vogël nëse ai nuk përbënte një kërcënim nuklear për të.
“Ndjej një përgjegjësi personale sepse i nxita ata të pranonin të hiqnin dorë nga armët e tyre atomike. Asnjëri prej tyre nuk e beson se Rusia do të kishte guxuar ta bënte tani këtë veprim nëse Ukraina do t’i kishte ende armët e saj bërthamore”, tha Bill Clinton, ish president i SHBA-së.
Pohimin e rralle, Clinton e bëri gjatë një interviste dhënë radiotelevizionit irlandez, RTE.
Ish kreu i Shtëpisë së Bardhë shpjegoi se gjithçka u bë në kuadrin e një marrëveshjeje mirëbesimi, ku Kievit iu kërkua të dorëzonte arsenalin nuklear që kishte mbetur në tokën ukrainase pas shembjes së Bashkimit Sovjetik.
Presidenti i 42-të po i referohej ujdisë historike të vulosur pas Luftës së Ftohtë, përmes të cilës presidenti i atëhershëm ukrainas Leonid Kravchuk u pajtua të dorëzonte rreth 1900 koka bërthamore në këmbim të garancive të sigurisë nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, si dhe një angazhimi nga Rusia për të respektuar integritetin territorial të Ukrainës.
Pakti, i njohur si Memorandumi i Budapestit, u shkel praktikisht për herë të parë në vitin 2014 kur Vladimir Putin aneksoi Krimenë, dhe shkurtin e 2022-shit, presidenti rus e shkeli atë përsëri me sulmin këtë radhë në shkallë të gjerë kundër vendit fqinj, të cilin ai vetë vazhdoi ta përkufizonte si një “operacion special ushtarak”.
Top Channel