Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve mirëpret presidenten tajvaneze si një “mike të madhe të Amerikës”

06/04/2023 07:10

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, u takua të mërkurën me Presidenten e Tajvanit, Tsai In-wen, në Kaliforni, dhe e quajti atë “një mike të madhe të Amerikës”.

Në fillim të takimit të tyre, zoti McCarthy tha se “jam optimist se do të vazhdojmë të gjejmë mënyra për popullin e Amerikës dhe të Tajvanit që të punojmë së toku për të mbështetur lirinë ekonomike, demokracinë, paqen dhe stabilitetin”. Zonja Tsai u përgjigj duke thënë se “jemi më të fortë kur punojmë së bashku”.

Por, ajo edhe paralajmëroi se rreziqet ushtarake nga Kina, e cila e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj, “nuk duhen nënvlerësuar”. Ajo tha se Tajvani kërkon “një status quo paqësore” dhe se “kërkon të bëhet një partner i qëndrueshëm për botën”.

Bisedimet e planifikuara kanë ngjallur kundërshtimin nga Kina. Pekini njoftoi një operacion të përbashkët lundrimi dhe patrullimi në pjesën veriore dhe qendrore të ngushticës së Tajvanit, ndërsa Ushtria Çlirimtare Popullore tha se kishte vendosur dy destrojerë dhe një fregatë në Detin e Kinës Lindore për të bërë stërvitje me municion luftarak.

Operacionet mendohet se janë një ndëshkim për Tajvanin për dy ndalesat e presidentes në Shtetet e Bashkuara, në më pak se një javë.

Një destrojer kinez PLA-N, i klasit Luyang
Një destrojer kinez PLA-N, i klasit Luyang

Autoritetet kineze nuk dhanë hollësi për operacionin në ngushticën e Tajvanit, apo nëse marina kineze do të dërgonte edhe anije vëzhgimi.

Ligjvënësi Hakeem Jeffries, udhëheqësi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se u takua me zonjën Tsai javën e kaluar në Nju Jork.

“Patëm një bisedë shumë frutdhënëse rreth sigurisë së ndërsjellë dhe interesave ekonomike mes Amerikës dhe Tajvanit”, tha Ligjvënësi Jeffries. “Diskutuam gjithashtu për përkushtimin tonë të përbashkët për demokracinë dhe lirinë”.

Ligjvënësi Jeffries tha në një deklaratë se takimi i tij me zonjën Tsai “është në përputhje me, dhe nuk përfaqëson asnjë devijim nga, marrëdhënia jozyrtare e gjatë midis Shteteve të Bashkuara dhe Tajvanit”. Shtetet e Bashkuara kanë politikën e “një Kine”, e cila pranon se Pekini e konsideron Tajvanin si pjesë të Kinës. Por megjithatë, Shtetet e Bashkuara dërgojnë ndihma ushtarake në ishullin e vetëqeverisur për ta ndihmuar atë të mbrohet.

Hakeem Jeffries
Hakeem Jeffries

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë shpesh se Shtetet e Bashkuara do ta mbronin ushtarakisht Tajvanin nëse Kina do ta sulmonte atë, megjithëse Shtetet e Bashkuara ka shtuar gjithashtu me shpejtësi se politika e “një Kine” nuk ka ndryshuar.

Zonja Tsai nuk e ka vizituar Uashingtonin dhe ka thënë se po kalon tranzit nëpër Shtetet e Bashkuara, me dy ndalesat e saj në kuadrin e një vizite në vende aleate në Amerikën Qendrore, në Guatemala dhe Belize. Hondurasi kohët e fundit njoftoi se po ndërpret lidhjet me Tajvanin në shenjë mbështetjeje ndaj Kinës.

Vitin e kaluar, zonja Tsai priti Kryetaren e atëhershme të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në Tajvan dhe Kina reagoi duke organizuar stërvitjet më të mëdha ushtarake me municion luftarak prej dekadash përreth Tajvanit.

Konsullata e Kinës në Los Anxhelos tha përpara takimit të së mërkurës se zonja Tsai po angazhohej në bisedime të tilla për të “bërë teatër politik”.

Jerome Cohen, ish-profesor në Shkollën Juridike të Universitetit të Nju Jorkut, i tha Zërit të Amerikës se duke u takuar me zotin McCarthy në Kaliforni, zonja Tsai mori një rrugë më diplomatike sesa pritja e zotit McCarthy në Tajvan që mund të provokonte llojin e përgjigjes që Kina bëri për vizitën e zonjës Pelosi.

“Nuk duhet të ketë baza për një reagim të fortë të Pekinit”, i tha zoti Cohen shërbimit në gjuhën kineze të Zërit të Amerikës. “Kjo e bën Republikën Popullore të Kinës të duket shumë keq dhe e papjekur në një kohë kur Pekini dhe Uashingtoni duhet të përpiqen të bashkohen për të përmirësuar marrëdhëniet, jo për t’i përkeqësuar ato”.

Kryetari McCarthy duke shoqëruar presidenten tajvaneze
Kryetari McCarthy duke shoqëruar presidenten tajvaneze

Robert Ross, profesor i shkencave politike në Kolegjin e Bostonit, i tha Zërit të Amerikës se takimi i së mërkurës nuk synon domosdoshmërisht të japë ndonjë rezultat konkret.

“Për Tsai Ing-wen, kjo ka të bëjë thjesht me vendosjen e një pranie në botë, vendosjen e pranisë së saj si udhëheqëse e Tajvanit dhe suksesin e saj për t’u takuar me udhëheqësit amerikanë”, tha zoti Ross.

“Për Kryetarin, objektivi i tij është të vendosë kredencialet e tij si një mbështetës i Tajvanit dhe si dikush që kundërshton Kinën. Takimi me presidenten e Tajvanit i mundëson atij që të thotë: ‘Unë po i rezistoj Kinës’. Ata nuk duan që unë ta bëj këtë, por unë do ta bëj gjithsesi”./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA