Një avokate britanike thotë se është detyruar me anë të intimidimit të shesë fermën e saj në Spanjë prej frikës së sulmeve nga fqinjët, që e persekutonin vazhdimisht në një konflikt të ashpër për tokën.
69 vjeçarja Sarah Hermitage, kishte mbetur e shtrirë përtokë në rrugën e dheut pas shtyrjeve nga 66 vjeçari Vicente Gonzalez, teksa ai dhe i biri, polic jashtë detyre, u konfrontuan ashpërsisht me të në shtator 2020.
Në pamjet e mediave britanike shihet Gonzalez që nxiton në rrugën e ngushtë për të ndaluar që britanikja të heqë piketat e drunjta të tokës, që ai kishte vendosur në tokën e saj në Granada.
Një konfrontim fizik vijoi por gruaja nuk hoqi dorë dhe Gonzalez u shpall fajtor për sulm fizik dhe u gjobit nga gjykata e Motril, e cila refuzoi pretendimet e spanjollit se ajo kishte hequr ilegalisht piketat e tokës.
Por megjithë fitoren e gruas ajo detyrimisht u detyrua të shiste tokën prej presionit, kërcënimeve dhe intimidimit, tha avokati i saj.
“Ishte një vend i largët dhe më pëlqente shumë ashpërsia e terrenit të egër”, tha zonja Hermitage.
“Kur i tregova fillimisht dokumentet e pronësisë së tokës ata m’i hodhën përtokë dhe u thashë se do t’i heq shtyllat e tyre nëse i vendosin përsëri.”
Britanikja ishte vendosur në fermën 8-hektarëshe me një shtëpi me katër dhoma gjumi në fshatin e izoluar të Guajar Alto, në vitin 2014 për të shijuar pensionin e saj. Gruaja kishte ardhur aty pasi ironikisht e kishin detyruar të largohej dhe nga Tanzania ku kishte shkuar më herët, atje nën kërcënimin e armëve.
Ajo thotë se kur ishte në lindje të Afrikës, bashkë me bashkëshortin tashmë të ndjerë, ishin përballur me kërcënime vdekjeje e dhunë në një tjetër konflikt toke, teksa biznesmenë vendas donin të merrnin tokën e tyre.
Disa muaj pas vdekjes së bashkëshortit të saj në Spanjë gruaja thotë se u bë e qartë se Gonzalez e familja e tij kishin shumë influencë në zonën malore dhe kontrollonin autoritetin lokal të shpërndarjes së ujit.
Tensionet kishin nisur kur zonja Hermitage u ankua për zhurmën e një gjeneratori të vendosur ilegalisht në një lum në zonë.
Ndërsa disa muaj më vonë konflikti u intensifikua kur burri nisi pretendimet për një pjesë të tokës së saj dhe vendosi gardhin për të mbjellë aty avokado.
Në janar 2020, kur ajo pa në mëngjes gardhin e ngritur, vendosi të vepronte, duke hequr piketat e drunjta e duke i hedhur ato në rrëpirë, teksa një mikeshë e saj regjistronte zhvillimin.
Teksa shkonte me nxitim te zonja Hermitage, pronari i ri nisi sulmin duke lënë gruan të shtrirë në dhe.
Teksa zonja Hermitage nuk arrinte të ngrihej, i biri i Gonzalez shihet duke ndjekur në mënyrë agresive mikeshën e gruas që regjistronte.
Oficeri i policisë nisi ta kërcënonte me arrest, duke kërkuar të mos regjistronte.
Në lidhje me incidentin, zonja Hermitage shton: “Ata që duhet të më mbronin policia, Guardia Civil, gjyqësori, nuk e bënë.’
Top Channel