Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi u përplas sot në seancën e Kuvendit me deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu Shoshi.
Ishte deputetja opozitare, e cila e ballafaqoi kryenegociatorin për dialog me një deklaratë të tij të mëparëshme në lidhje me Asociacionin, ku kishte thënë se në momentin kur formohet Asociacioni me apo pa kompetenca ekzekutive, ai nuk do të ishte më në atë pozitë.
Mirëpo, zëvendëskryeministri Bislimi i tha deputetes Musliu se është i pakuptimtë “epshi” i saj për të marrë vëmendje publike.
Përdorimi i fjalës epsh nxiti reagim të deputetëve opozitarë, ku edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i kërkoi Bislimit të ketë kujdes në fjalor.
Në lidhje me incizimin që iu paraqit në Kuvend, Bislimi tha se ai është vetëm një pjesë e shkëputur e intervistës së tij. Ndërkaq, ai theksoi se tani me marrëveshjen bazë të 27 shkurtit në Bruksel janë krijuar kushtet për të diskutuar për çështjen e minoriteteve.
“Është e pakuptimtë epshi juaj për me marrë vëmendje publike, është e parëndësishme. Është mirë që kur të përcjellë intervistat të përcjellni në tërësi dhe jo fjalinë. Në të njëjtën intervistë që ju i vijojeni thuhet si vijon: Për çështjen e minoriteteve do të diskutojmë atëherë kur sovraniteti, integriteti territorial dhe funksionaliteti nuk është në pikëpyetje. Asnjëra prej këtyre kushteve nuk është përmbushur, as deklarata e 23 qershorit të vitit 2022. E nderuar deputete merreni marrëveshjen e 27 shkurtit dhe nxirreni konstatimi për atë që a vihet në pikëpyetje sovraniteti territorial, a kemi marrëveshje formale me Serbinë dhe çka thuhet për funksionalitetin e Kosovës”, tha ai.
Ngaa ana tjetër, deputetja Musliu Shoshi tha se ofendimet janë argumentet më të forta të zëvendëskryeministrit Bislimi, derisa i vendosi sërish një incizim të kryeministrit Kurti, ku sipas saj, theksohet nga ana e tij formimi i Asociacionit.
“E thash që ofendimet i ke argumentet më të forta, mirëpo me mua nuk të shkojnë zotëri zëvendëskryeministër. Përgjigjen të jep luani apo kryeministri juaj. Pyetja ime është kur po jep dorëheqje pasi më nuk ke kredibilitet me qenë kryenegociator”, theksoi ajo.
Top Channel