Në fakt, është zakon që një ministër financash të paraqesë fillimisht piketat për buxhetin. Por meqenëse anëtarët e koalicionit nuk pajtohen për disa çështje, Lindner vendos të heqë dorë.
“Piketat e buxhetit” – kjo tingëllon si një detaj për gustatorët e politikës financiare. Por këto shifra të matura janë të rëndësishme: ato përcaktojnë shpenzimet totale të planifikuara nga federata dhe miliardat që merr çdo dikaster për vitin e ardhshëm. “Qëllimi është të vendoset drejtimi i politikës fiskale”, thuhet në faqen e internetit të Ministrisë Federale të Financave.
Por Ministri i Financave, Christian Lindner tani po heq dorë nga këto vlera referencë. Për Lindner-in, braktisja e vlerave të referencës përfaqëson një kursim kohe. Por nuk do të jetë më e lehtë. Në një kohë që në rastin e një vendimi për vlerat e referencës, çdo Ministri mund të përgatisë buxhetin e saj relativisht në mënyrë të pavarur brenda kornizës së vendosur, të gjitha projektet e mëdha qeveritare tani duhet t’i nënshtrohen një votimi të përbashkët.
Por nga këndvështrimi i nënkryetarit të grupit parlamentar të të Gjelbërve, Andreas Audretsch, ky nuk është problem: në fund të fundit, politika buxhetore reflekton vendimet mbi prioritetet politike, tha Audretsch për radion Deutschlandfunk: “Epo, sigurisht që ka debate për mënyrën më të mirë për të vendosur këto prioritete në fund.”
Asnjë temë aktualisht nuk e demonstron këtë më shumë sesa debati për sigurinë bazë për fëmijët: a duhet t’u kushtojmë 12 miliardë euro shtesë në vit? Këtë e kërkon Ministrja e Familjes Lisa Paus e të Gjelbërve. Apo duhet të ruhet dhe të shpërndahet në një mënyrë më të fokusuar parimi i përfitimeve ekzistuese? Kështu mendon FDP, me të njëjtën shprehje edhe kancelari Scholz në Bundestag.
Lindner: “Politika fiskale siç shihet nga fëmijët”
Në fakt, kjo pyetje ka të bëjë vetëm me buxhetin e vitit 2025, sepse sigurimi bazë për fëmijët, i rënë dakord nga koalicioni qeveritar, do të hyjë në fuqi vetëm në këtë datë. Por baza e këtij vendimi duhet hedhur që tani, në kuadër të planifikimit financiar shumëvjeçar. Fakti që gjërat nuk po përparojnë zemëron liderin e partisë E Majta, Martin Schirdewan: me diskutimet për buxhetin, qeveria po realizon “një spektakël të padenjë mbi kurrizin e familjeve më të varfra të këtij vendi”, thotë ai.
Nga ana e tij, Ministri i Financave Lindner prej javësh ka vënë frena në dëshirat e shpenzimeve të kolegëve të tij ministra – dhe kjo duke iu referuar interesave të brezit të ri, mbi të cilin rritja e borxhit do të sillte një barrë të tepruar: “Ne jemi të thirrur të udhëheqim përsëri një politikë buxhetore nga pikëpamja e fëmijëve, të cilët kanë të drejtë të presin një shtet të aftë për të vepruar”. Sipas kryetarit të FDP, kjo bëhet “për të siguruar të ardhmen e fëmijëve” që të mos mbingarkohet në mënyrë të qëndrueshme shteti në mundësitë e tij të financimit.
Sipas prezantimit të ministrit të Financave, vështirë se ndonjë nga kolegët e tij ministra në Berlin mund të presë që dëshirat e tyre për shpenzime shtesë – po flasim për rreth 70 miliardë euro – të përmbushen. Edhe pa dëshirat shtesë, ka një mungesë prej 18 miliardë eurosh në buxhetin e vitit të ardhshëm, sipas Lindnerit. Në fund të fundit, koalicioni kishte vendosur tashmë shpenzime shtesë – nga kompensimi për fëmijët, te kompensimi për qytetarin e deri te lehtësimet tatimore.
Wadephul: “Qeveria federale ka pësuar knockout”
Në radhët e opozitës, ka kritika për vendimin për të hequr dorë totalisht nga vlerat e referencës. Peter Boehringer, zëdhënës i grupit parlamentar të AfD për çështjet buxhetore, flet për një “procedurë krejtësisht të pazakontë” në një intervistë me studion e ARD: “Kjo vetëm tregon se qeveria është e përfshirë në grindje pa rrugëdalje”, thotë ai.
Po të njëjtën gjë mendon edhe nënkryetari i grupit parlamentar të Unionit, Johann Wadephul “Kjo qeveri federale ka pësuar knockout”, shkroi ai në Twitter, duke shprehur keqardhjen që gjërat nuk po përparojnë në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me financimin e Bundeswehr-it. Christian Görke, përgjegjës për politikën financiare të partisë E Majta, madje flet për një “refuzim për të punuar nga qeveria”.
Po në lidhje me vlerësimin e taksave?
Megjithatë, anëtarët e partive të koalicionit qeveritar janë të qetë. Edhe pa shifrat kryesore të buxhetit, qeveria mund të përgatisë një ligj buxhetor, shpjegon politikani i të Gjelbërve, Audretsch: “Do të kemi vlerësimin e taksave në maj dhe më pas do të hartojmë një buxhet i cili do të miratohet në qershor nga kabineti, ka ende kohë deri në qershor”.
Nëse vlerësimi i taksave rezulton të jetë më i mirë se i fundit, kjo mund të lehtësojë disi grindjet për paratë në qeveri. Por çështja themelore se kush merr dhe sa merr duhet të zgjidhet gjithsesi – ndoshjta në një takim të ri të partnerëve të koalicionit. Në të vërtetë, sipas pjesëmarrësve, buxheti luajti vetëm një rol të vogël gjatë mbledhjes së koalicionit që zgjati rreth 30 orë javën e kaluar./DW
Top Channel