Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell i është bashkuar sulmeve të diplomacisë evropiane ndaj Kinës, sa i përkeq mbështetjes që Pekini i dha Rusisë në mes të pushtimit të Ukrainës. 

Përmes një prononcimi për mediet, Borrell e quajti atë “një shkelje të hapur” të angazhimeve të marra nga Kombet e Bashkuara.

“Nuk mund të jetë në anën e agresorit“- tha Borrell, duke shtuar se: “Ka një pritje të qartë nga një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit (OKB) që të ngrihet në mbrojtje të rendit të bazuar në rregulla ndërkombëtare dhe Kinës si një detyrë morale për të kontribuar për një paqe të drejtë.”

Duke qëndruar përkrah Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, Borrell ka dënuar hapur qëndrimin e Kinës, duke e konsideruar atë një vend që është zhvendosur gjithnjë e më shumë nga një partner i BE-së në një rival në skenën globale.

Komentet, të cilat vijnë pak përpara një udhëtimi në Pekin të presidentes së Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen dhe presidentit francez Emmanuel Macron, shtruan skenën për dy udhëheqësit evropian që t’i vënë pikat mbi “i” në marrëdhëniet BE-Kinë, për shkak miqësisë së Pekinit me Rusinë.

Macron dhe von der Leyen pritet të paralajmërojnë Kinën kundër dërgimit të armëve në Rusi gjatë bisedimeve me presidentin Xi Jinping të enjten. Pak përpara vizitës, von der Leyen pati një telefonatë me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky për të koordinuar strategjinë.

Edhe nëse Pekini thotë se është neutral në luftë, vizita e Xi me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë dy javë më parë, lë shumë për të dëshiruar. Nga pamjet filmike, te fjalimet e dy liderëve, vihet re qartë se kemi të bëjmë me një takim mes miqve të besuar.

Ata ranë dakord për nevojën për të mos vendosur armë bërthamore jashtë vendit,” tha Borrell për takimin e Moskës, duke shtuar se: “Disa ditë më vonë, Rusia vendosi armë taktike, armë taktike bërthamore në Bjellorusi. Kjo vjen, për ironi, pasi presidenti kinez Xi vizitoi Moskën dhe përmendi nevojën për paqe.”

Ai e quajti perspektivën e Putinit për vendosje të armëve në Bjellorusi si “bixhoz me armët bërthamore”, duke theksuar se kjo përbën “një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë evropiane”.

Borrell tha se ai po kërkonte një ndryshim qëndrimi në Pekin nëse marrëdhëniet nuk do të përkeqësoheshin.

“Ne kemi qenë të qartë me Kinën se pozicioni i saj ndaj mizorive dhe krimeve të luftës të Rusisë do të përcaktojë cilësinë e marrëdhënieve tona me Pekinin,” tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA