Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani theksoi sot se incidentet në veri të Kosovës janë të orkestruara nga struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi, të cilat kanë për qëllim frikësimin dhe kanosjen e popullatës lokale serbe.

Në veri të Kosovës është raportuar për djegien e disa makinave të pronarëve serbë, të cilat kanë qenë të regjistruara me targa RKS.

“Kosova do të vazhdojë të jetë plotësisht e koordinuar me aleatët ndërkombëtarë, për të vazhduar përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm, ndërsa është e përkushtuar për zbatimin e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e republikës”, ka thënë ajo.

Osmani i ka bërë këto deklarata në një takim me të dërguarit e posaçëm të Gjermanisë dhe Austrisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe Johannes Eigner.

Sipas Presidencës, në takim palët kanë biseduar edhe dakordimin e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për Marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, më 27 shkurt në Bruksel, si dhe për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes, më 18 mars në Ohër.

Për të diskutuar rezultatet e këtyre takimeve, më 4 prill në Bruksel do të takohen kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk ka treguar se sa makina me targa të tilla janë riregjistruar në RKS. Vlerësohet se në veriun e Kosovës janë rreth 10.000 makina me targa të lëshuara nga Serbia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA