Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj ka komentuar zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, duke thënë se me humbjen e ish-presidentit, Milo Gjukanoviç ka fituar versioni i Serbisë së madhe dhe ai i botës ruse.

Në konferencën për media pas mbledhjes së Kryesisë të Kuvendit, Hoxhaj tha se ajo çfarë ka ndodhur në Mal të Zi është një fazë e re e politikës rajonale.

“Ajo çka ka ndodhur në Mal të Zi është një fazë e re e politikës rajonale, ku nuk ka dyshim se ka fituar versioni i Serbisë së madhe dhe botës serbe dhe ruse. Tash pritet të shihet si do të sillet presidenti dhe qeveria e re… Zgjedhjet e djeshme ishin fundi i një ere, një epoke dhe fundi i një bashkëpunimi të cilin ne e kemi pasur me presidentin Gjukanoviq dhe ekipet e tij qeverisëse në mbështetje të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ai ka folur edhe për procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas tij, kjo fazë është e dhimbshme për Kosovën, por u shpreh i sigurt se në fund të procesit ish-krerët e UÇK-së do të kthehen fitimtarë nga Haga.

“Kjo është një fazë e re për Kosovën, një fazë e vështirë plot dhimbje, por edhe një fazë e padrejtë të një procesi gjyqësor, në të cilën ne jemi të sigurt se do të përmbyllet me një drejtësi të re. Pasi do të kthehen të gjithë fitimtarë dhe faqebardhë në një proces të tillë. Të gjithë krerët e UÇK-së janë heronj të luftës dhe heronj të paqes”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA