Malajzia i jep fund dënimit të detyrueshëm me vdekje për krime të rënda!

03/04/2023 13:41

Parlamenti i Malajzisë ka votuar për heqjen e dënimit të detyrueshëm me vdekje, duke shpëtuar më shumë se 1,300 të burgosur.

Dënimi me vdekje hiqet për 11 krime të rënda, që përfshijnë vrasjen dhe terrorizimin. Për krimet më të rënda, gjykatat tani do të favorizojnë dënimet me burgim të përjetshëm deri në 40 vjet, ose dënime fizike siç është gjuajtja me bastunë, thanë ligjvënësit.

Duke folur në parlament të hënën, zëvendësministri i ligjit të Malajzisë tha se dënimi me vdekje ishte i pakthyeshëm dhe nuk kishte funksionuar si parandalues ​​ndaj krimit.

Ligjet e reja do të zbatohen në mënyrë retrospektive, duke u lejuar të dënuarve me vdekje 90 ditë për të kërkuar rishikimin e dënimeve të tyre. Aktualisht në vend ka 1341 të burgosur të tillë.

Janë 34 vepra penale të dënueshme me vdekje në Malajzi – 11 prej të cilave para të hënës kishin dënim të detyrueshëm me vdekje.

Procesi legjislativ i përmbysjes së dënimit me vdekje në vend filloi qershorin e kaluar, kur ish-qeveria e Malajzisë nën kryeministrin Ismail Sabri Yaakob njoftoi se do të shfuqizonte dënimin me vdekje si një dënim i detyrueshëm.

Dy projekt-ligje për të reformuar ligjet u futën në parlament javën e kaluar. Malajzia është një nga 53 vendet që ende ruan dënimin me vdekje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA