Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Verona, Itali, së bashku me Presidentin e Republikës së Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministrin e Republikës të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në kuadër të pjesëmarrjes së tre vendeve, themeluese të nismës së Ballkanit të Hapur, në panairin botëror të Verës “Vinitaly 2023”, në një prezantim të përbashkët në stendën “Wine vision by Open Balkan”.
Kryeministri Rama, Presidenti i Republikës së Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministri i Republikës të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski zhvilluan një takim mes tyre, në përfundim të të cilit dhanë një Konferencë të përbashkët për shtyp:
Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç: Kryeministri Rama, Kryeministri Kovačevski, faleminderit shumë edhe njëherë që jeni së bashku me delegacionin tonë këtu në Itali, në Bardolino dhe shumë falënderime dhe Kryetarit të Bashkisë së Bardolinos, mikpritësit tonë italian që e bëri të mundur këtë gjë këtu, 20 e ca kilometra larg Veronës.
Jam thellësisht mirënjohës ndaj jush të dashur kolegë për shkak të faktit që edhe njëherë patëm diskutime mjaft të frytshme për çështjet reale, çështje që nënkuptojnë jetën reale të qytetarëve të vendeve të Ballkanit të Hapur.
Ajo çka diskutuan ishte sesi të ndihmojnë qytetarët e zakonshëm që të heqin të gjitha pengesat e barrierat e mbetura në tregtinë e lirë dhe në qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve në vendet e Ballkanit të Hapur.
Diskutuam shumë çështje konkrete dhe besojmë se do të përgatisim gjithçka përpara nisjes së sezonit veror që do ta bëjë më të lehtë për njerëzit që të qarkullojnë përmes kufijve të secilit prej vendeve tona dhe besoj që njerëzit do ta vlerësojnë këtë shumë.
Diskutuam edhe të gjitha çështjet e tjera që kishin të bënin me qasjet fito-sanitare, veterinare, të gjitha qasjet e tjera që lidhen me sigurinë ushqimore, si dhe pasjen e qasjes më të lehtë tek vendet e tjera.
Ajo që diskutuam së bashku ishte që bashkë me Maqedoninë e Veriut do t’u japim të gjithë qytetarëve tanë ato karta elektronike për pagesën e tarifave rrugore, janë gjëra të vogla, por këto gjëra të vogla nënkuptojnë përparime reale për standardet e jetesës së qytetarëve.
Diskutuam, po kështu, pranimin dhe njohjen e kartave të reja të identitetit që do të sigurojnë edhe ulje të mëtejshme për njerëzit, qytetarët, në shitjet me pakicë, në hoteleri për të tre ne vendet dhe besojmë që do ta realizojmë këtë në muajt që vijnë.
Bëmë thuajse gjithçka lidhur me përfundimin e procesit për lëshimin e lejeve të punës dhe kjo besoj do jetë gur themeli real apo themeli për bashkëpunimin ekonomik të të gjithëve ne.
Miqtë e mi do të flasin për shifrat reale, por diçka shumë e rëndësishme është që kemi rritur nivelin e tregtisë, të paktën Maqedonia e Veriut e ka bërë me ne dhe ne me ta, ndërkohë që vlerësimi është rreth 50%, pak a shumë gjatë 3 viteve të fundit.
Megjithatë, pengesa jonë më e madhe, në tërë Ballkanin, jo vetëm në Ballkanin e Hapur, është kur ke një kamion që transporton diçka, produkte ushqimore të themi, shpenzojnë 70% të kohës së tyre në kufi; pra, koha e transportit është 30% ndërsa koha e pritjes në kufi është 70%. Pra, ka shumë gjëra për t’u tejkaluar. Ka shumë gjëra të tjera.
Edi do të organizojë panairin e bukës në Shqipëri, do të kemi panairin e verës, do kemi sërish panairin e festivalit, festivalin e filmit së bashku. Fëmijët tanë do të organizojnë kupa verore dhe shumë gjëra të tjera tek të cilat duam të angazhohemi me njëri-tjetrin. Ndjesë që mora kaq shumë nga koha juaj. Faleminderit edhe njëherë miqve të mi!
Do doja që të ftoja Shqipërinë, qytetarët shqiptarë dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut që të ftojnë Serbinë më shpesh, siç ftoj qytetarët serbë të shkojnë në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut dhe të përfitojnë nga qasja mjaft mikpritëse e këtyre dy vendeve.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit dhe pikë së pari, shumë faleminderit kryetarit të bashkisë këtu për mikpritjen e tij dhe që na lejoi të ndihemi për një orë tërësisht si në shtëpi për të zhvilluar gjithashtu këtë komunikim.
Jemi të tre këtu sepse ia kemi dalë të jemi pjesë e një prej manifestimeve më të mëdha në Europë të prodhimit të verës në Itali, në Verona. Për herë të parë, prodhuesit tanë po përfshihen në këto panaire që janë në nivelin e ligës së kampionëve dhe jemi këtu falë nisjes, më së pari, të Panairit të Verës në Beograd vitin e kaluar që do të përsëritet; natyrisht do jetë shumë më i madh dhe me më shumë vëmendje gjatë këtij viti.
Do jetë një mundësi e shkëlqyer për të folur për bujqësinë tonë, për prodhimin e verërave, për sfidat dhe ambiciet tona dhe po ashtu do jetë mundësi e jashtëzakonshme për prodhuesit tanë që të krijojnë kontakte, të vihen në kontakt me ata që janë më të mirët e prodhimit dhe tregtimit të verës në Europë dhe më gjerë në botë.
Nga ana tjetër, kjo ishte një mundësi për të ndarë pikëpamje dhe për të paraprirë takimet e tjera. Do të takohemi në fund të majit dhe më pas do kemi panairin e bukës në Shqipëri, në fillim të vjeshtës dhe më pas panairin e verërave.
Ndërkohë, kemi nisur të organizojmë atë çka është shpallur kohë më parë, kupën e parë verore të fëmijëve të shkollave fillore dhe të mesme me ekipet më të mira. Qysh tani e dimë se Serbia do të fitojë, por megjithatë siç thuhet, nuk ka rëndësi të fitosh, por ka rëndësi të marrësh pjesë.
Ndërkohë, jam i sigurt që duke përjetuar këtë përvojë, fëmijët do të mësojnë nga njëri-tjetri dhe fëmijët tanë në Shqipëri do të mësojnë nga më të mirët në këtë lloj sporti dhe nuk e kam kuptuar kurrë se pse serbët janë më të mirë kur bëhet fjalë për të pasur një top, për ta ndjekur topin, për të qarkulluar me të, për ta hedhur topin në kosh, në rrjetë, por do na duhet të përshtatemi.
Ndoshta me kohën do t’i ruajmë këto përvoja si thesar por kushedi. Por le të mos flasim për mposhtjen e serbëve në të ardhmen se kjo mund të probleme në të tashmen.
Një tjetër pikë që është shumë e rëndësishme është se po punojmë për një pikëpamje strategjike për të forcuar marrëdhënien me Bashkimin Europian, për të forcuar bashkëpunimin, por në të njëjtën kohë për t’u siguruar që të ketë një dialog shumë të qartë për “kë” bën “çfarë” dhe siç e kemi thënë më parë, kur vjen fjala për procesin e integrimit europian, për grup-kapitullin, për kapitujt, për paragrafët, për fjalitë, për presjet, pikëpresjet, ne jemi shumë të prirur t’i përmbushim ato.
Ne nuk do të kërkojmë të na bëhen dhurata, nuk do të kërkojmë që të kemi përshpejtime artificiale. Do të kërkojmë të jemi shumë të mirë në këto detyra shtëpie sepse janë për ne, por në të njëjtën kohë ka disa gjëra që duhet të ndryshojnë kur vjen fjala për hendekun, konvergjencën e këtij hendeku dhe për aspektin ekonomik.
Ne jemi të shqetësuar dhe nuk mund ta fsheh, për këtë vrull të ri, njw vrull i ri nw Europw, duke nisur nga Gjermania dhe vende tw të tjera tw zhvilluara në kërkim të krahut të punës dhe natyrisht është e kuptueshme, por ne nuk jemi diku gjetkë, jemi në mes të Europës dhe për këtë do të diskutojmë në mënyrë shumë të thelluar në takimin tonë të muajit maj.
Për ta përmbyllur doja të përmendja shifra mjaft domethënëse për vëllimin tregtar. Vëllimi tregtar i vitit 2022 midis vendeve të Ballkanit të Hapur është rritur me 24.8% për të qenë preciz, pra 1/4. Është një rritje e jashtëzakonshme, që sigurisht është rezultat i gjithçkaje që ne kemi bërë dhe sigurisht jemi shumë të lumtur të shohim që edhe në Procesin e Berlinit ka përparim.
Nuk i shohim këto nisma si kundërshtuese, por përplotësuese dhe gjithmonë do t’u bëjmë thirrje dhe anëtarëve të tjerë të kësaj kategorie a këtij rajoni, çfarëdo ta quani rajonin tonë, që të bëhen pjesë kurdo që të duan. Të bashkohen me gjysmë zemre, pa zemër, me zemër të plotë, është zgjedhja e tyre, nuk e kontrollojmë ne angazhimin me zemër ose jo. Ne kontrollojmë rezultatet dhe të mirat që nismat tona sjellin për qytetarët tanë.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitër Kovaçevski: Së pari, dua të falënderoj median që është sot këtu me ne, kaq e shumtë. Së dyti, do doja të falënderoja mikpritësin, rajonin e Venetos dhe këtë qytet të mrekullueshëm të Bardolinos dhe Kryetarit të bashkisë që na dha të gjithë logjistikën dhe mundësinë për ta zhvilluar takimin këtu.
Faleminderit po kështu miqve të mi, presidentit Vuçiç, Kryeministrit Rama, që së bashku sot kemi ardhur në një prej panaireve më të mëdha dhe më të njohura në Itali, ku kemi një stendë të përbashkët të verërave të Ballkanit të Hapur. Kur flasim për të njëjtat tema, ekziston mundësia e madhe që të përsëriten shumë gjëra, por siç thonë përsëritja është mëma e dijes ndaj do të përsëris disa prej gjërave më të rëndësishme.
Së pari, kjo vërtetoi që Ballkani i Hapur po jep rezultate për njerëzit dhe bizneset, ka vërtetuar atë çka kemi përsëritur gjatë tërë kohës që Ballkani i Hapur nuk është nismë politikë, por në të kundërt është një nismë ekonomike e cila mbështetet në katër liritë mbi të cilat bazohet Bashkimi Europian, lëvizja e lirë e mallrave, e njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit. Dhe provohet përmes shifrave siç e tha Aleksandri dhe Edi dhe unë do të përmend disa shifra të tjera, se tregtia e Maqedonisë së Veriut drejt Serbisë në 2022 krahasuar me 2019 është rritur me 53%.
Po kështu dhe tregtia serbe ndaj Maqedonisë së Veriut është rritur. 40% është rritur vëllimi tregtar drejt Shqipërisë dhe po kështu edhe nga Shqipëria është rritur vëllimi tregtar drejt Maqedonisë së Veriut. Kjo provon që barrierat jo tarifore që ne kishim në kufi ishin pikërisht ato që ndalonin qytetarët dhe bizneset tona të punonin sëbashku. Me zbatimin e korsive të gjelbra, me vetëm një kontroll fitosanitar ne përmirësuam, rritëm dhe përshpejtuam tregtinë midis vendeve.
Deklarata që dhashë në Beograd që praktikisht përbëri titullin më të madh pas kësaj konference shtypi sëbashku me kryeministren Ana Brnabic, do ta përsëris nuk ka budallallëk më të madh sesa kufijtë në Ballkan. Ne jemi vende pa kufij dhe jemi të vetmet vende me kufi në Europë. Kur shkon në veri në Serbi deri në Skandinavi nuk ka kufi. Kur shkon nga perëndimi i Serbisë deri në Portugali nuk ka kufi dhe të vetmit kufi janë në Ballkan dhe të dhënat që presidenti Vuçiç ndau me ne, që 70% e transportit kalohet në kufi, janë të dhëna të cilat ndahen edhe nga Banka Botërore. Kështu që nuk kemi nevojë për këta kufij sepse po i ndalin njerëzit të komunikojnë me njëri-tjetrin.
Ky panair verërash është i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut gjithashtu sepse jemi eksportuesi i dytë më i madh i verës në rajon, ndaj pas Greqisë ne jemi eksportuesi më i madh me 60 milionë euro eksporte gjatë vitit. Pra, sot do të shihni verëra me shumë cilësi nga vreshtat më të mira të Maqedonisë së Veriut, së bashku në stendë me ato nga Shqipëria dhe Serbia.
Duam t’i tregojmë të gjithëve se ky bashkëpunim rajonal që kemi, jo vetëm ndihmon qytetarët në vendet tona, por ndihmon të gjithë qytetarët në të treja vendet tona për ta pozicionuar veten ndërkombëtarisht në një prej panaireve më të mëdha të botës.
Kjo po kështu do të jetë një mundësi për të tërhequr ekspozuesit që të vijnë tek panairi ynë i verërave, i Ballkanit të Hapur që do të zhvillohet sërish në Beograd.
Diskutuam edhe një gjë tjetër të rëndësishme siç është fakti që prodhuesit tanë filmik, kineastët tanë apo artistët shkojnë gjithmonë në festivale të rëndësishme dhe do vazhdojnë të shkojnë në festivale të rëndësishme në mbarë botën, por kemi rënë dakord që do të kemi festivalin tonë të filmit që do të zhvillohet në Shkup dhe do të nisim përgatitjet për të.
Do të organizojmë lojëra sportive për kampionatet e shkollave të mesme e fillore në vendet tona për të konkuruar me njëri-tjetrin sepse aty janë fëmijët, aty janë prindërit kështu që, mund të bëjmë që qytetarët tanë të afrohen më shumë me njëri-tjetrin. Në fund do ta përmbyll duke thënë se kjo nismë është tanimë diçka organike, origjinale dhe e mbështetur në vullnetin e mirë, në mirëbesimin dhe në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis tri vendeve tona.
Të dhënat që kemi ndarë përfitimet që kemi ndarë dhe përfitimet që do të vijnë në të ardhmen e afërt, me sistemin e përbashkët të pagesës së tarifave rrugore elektronike midis Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë dhe me kartën e identitetit të hapur, përmes të cilës çdo punonjës mund të punojë nga njëri vend në tjetrin, nuk ka motiv më të madh dhe provë më të madhe për vendet e tjera të rajonit që të vijnë e të bashkohen me Ballkanin e Hapur sepse nëse ka një gjë që ka rezultuar e drejtë, është se nëse jemi së bashku, jemi gjithmonë më të fortë.
Top Channel