Një ditë pasi doli nga spitali, Papa Françesku drejton meshën e së dielës

02/04/2023 15:19

Papa Françesku kryesoi meshën e të Dielës së Palmave në sheshin e Shën Pjetrit sot, duke nisur kështu ngjarjet e shumta deri në festën e Pashkëve, vetëm një ditë pasi u lirua nga spitali.

86-vjeçari ishte shtrirë në spital të mërkurën, për shkak të vështirësive në frymëmarrje. Hospitalizimi i tij nxiti shqetësime se mund të mos rikuperohet në kohë për të ndjekur ngjarjet e javës më të ngarkuar në agjendën vjetore të tij.

Por, Papa Françesku kishte premtuar se do të ishte i pranishëm në meshën e së dielës. Ai përshëndeti rreth 3.000 njerëz teksa kaloi me makinën e tij nëpër sheshin e stolisur me mbi 35.000 lule.

E Diela e Palmave shënon mbërritjen e Jezusit në Jerusalem para kryqëzimit të tij. E diela e Pashkëve, e cila këtë vit është më 9 prill, feston ringjalljen e tij.

Papa u largua i buzëqeshur nga spitali Gemelli në Romë të shtunën pas një qëndrimi prej tre netësh, ai nuk kurseu batutat me turmën e njerëzve të cilët e pyesnin se si ishte duke thënë “Jam ende gjallë!”

Kreu i 1.3 miliardë katolikëve në botë është përballur me disa probleme shëndetësore gjatë viteve të fundit, përfshirë këtu problemet e gjurit që e kanë detyruar atë të përdorë një karrige me rrota dhe shkop për ecje.

Papa Françesku shënoi 10-vjetorin si kreu i Kishës Katolike mbarëbotërore në fillim të këtij muaji.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA