Monika Kryemadhi, ish kryetare e LSI-së dhe ish Zonja e Parë, bëhet e para politikane shqiptare së cilës i zbulohen llogari bankare të padeklaruara në banka të huaja.
Dokumentet e publikuara nga Top Channel tregojnë, pagesa të kryera nga biznesmenë rus të naftës me përfituese zonjën Kryemadhi, të cilat ajo nuk i ka deklaruar.
Në kushtet kur zonja Kryemadhi është deputete e Kuvendit të Shqipërisë, ajo është subjekt i ligjit për “Deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”.
Këto dokumente mbërritur përmes postës elektronike në Top Channel tregojnë se Monika Kryemadhi, më 15 shkurt 2017, mori një pagesë prej 5,350 euro nga kompania Holdem.
Ndërsa një vit më pas në 23 maj të vitit 2018 një tjetër pagesë prej 13,500 euro po nga Holdem.
Transfertat janë në shuma të vogla por ato tregojnë se janë fshehur llogari bankare në banka në Zvicër dhe aksione në kompanitë offshore.
Këto të dhëna të faktuara përmes dokumenteve janë mjaftueshëm për të vënë në lëvizje fillimisht Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave siç edhe ia kërkon neni 27 i ligjit, për të thirrur subjektin në rastin konkret zonjën Kryemadhi.
“Thirrja e subjektit për të dhënë shpjegime Kur gjatë kontrollit zbulohet se deklarimet nuk janë të sakta ose burimet e deklaruara nuk identifikohen dhe nuk mbulojnë pasuritë e deklaruara, Inspektorati i Lartë thërret subjektin për të dhënë shpjegime të hollësishme dhe argumentet përkatëse, të cilat paraqiten kurdoherë me shkrim brenda 15 ditëve nga data e njoftimit”.
Në kushtet kur zonja Kryemadhi nuk ka përfshirë në deklarimet periodike pagesat e përftuara në vitin 2017 dhe 2018 respektivisht 5,350 euro dhe 13.500 euro, ligj ka këtë parashikim në nenin 38 për pasojat.
“Paraqitja në to të dhënave të rreme përbën vepër penale dhe dënohet sipas legjislacionit në fuqi”.
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave siç edhe ia kërkon ligji duhet të nisë hetimin e këtij rasti e më pas janë organet e drejtësisë të cilat duhet të thonë fjalën e tyre.
Dokumentet e publikuara nga Top Channel faktojnë se Monika Kryemadhi ka shkelur ligjin duke mos deklaruar pagesat e marra duke konsumuar një vepër penale. Si pasojë e mos këtij deklarimi Monika Kryemadhi ka konsumuar edhe një tjetër vepër penale atë të fshehjes dhe pastrimit të parave.
Nëse SPAK do të vërtetojë konsumimin e këtyre veprave penale e më pas gjykata do ta gjejë fajtore, atëherë ish Zonja e Parë e Shqipërisë humb mandatin e deputetes.
Top Channel