Shqiptarët duket se i janë rikthyer “trendit” të vjetër për mënyrën se si të shkojnë në Britani të Madhe, duke zbehur të shkuarit më gomone.

Gazeta Daily Telegraph të cilës i referohet Top Channel, ka publikuar një shkrim ku analizon mënyrën e mbërritjes të shqiptarëve në Angli.

“Bandat kriminale” siç i quan media britanike, së fundmi po i drejtohen kontrabandës së shqiptarëve në Britaninë e Madhe me kamionë, sepse ka më pak mundësi që ata të kapen nëse arrijnë në Britani.

Kërkesa e shtuar për rrugët e kamionëve, ka rritur çmimet e reklamuara në TikTok për kalimet deri në 20,000 £ për emigrant.

Vitin e kaluar, shqiptarët përbënin 28 për qind të 45,755 njerëzve që mbërritën me varka të vogla. Për tre muajt e parë të këtij viti, më pak se pesë për qind e 3700 të ardhurve deri më tani mendohet se janë shqiptarë.

Numri i përgjithshëm i migrantëve të Kanalit që arrijnë në MB është ulur me më shumë se 20 për qind nga 4,548 që kishin arritur në MB deri në këtë kohë vitin e kaluar , megjithëse fillimi i këtij viti është shënuar nga moti më i keq.

“Numri i shqiptarëve që kalojnë me varka të vogla ka rënë në mënyrë drastike. Marrëveshja e kthimit me Shqipërinë dhe rritja e zbatimit është një faktor, por do të shohim nëse do të qëndrojë i ulët”, tha një burim.

Rreth 500 shqiptarë që hynë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar janë dëbuar që kur kryeministri Rishi Sunak ra dakord për një marrëveshje të shpejtë kthimi me Edi Ramën, në dhjetor.

2478 shqiptarë të tjerë u deportuan midis korrikut 2021 dhe shtatorit 2022 pas një marrëveshjeje ripranimi.

Burime të tjera mbetën skeptike sepse vitin e kaluar pjesa më e madhe e shqiptarëve mbërritën gjatë muajve të verës përpara se shifrat të zvogëloheshin nga tetori në dhjetor, kur ata përbënin nëntë për qind të mbërritjeve, ose 1,099 persona.

Në ata tre muaj, afganët ia kaluan shqiptarëve për t’u bërë kombësia kryesore që arritën në Mbretërinë e Bashkuar, duke përbërë 33 për qind të mbërritjeve me varka të vogla (3,834).

Megjithatë, TikTok reklamon duke promovuar rrugën e kamionit, ku thuhet se ka një shkallë suksesi 100 për qind, pavarësisht kontrolleve më të forta në portet e trageteve nga Franca, Belgjika dhe Holanda.

Kontrabandistët paguajnë 20,000 £, një rritje prej 10 për qind në krahasim me vitin e kaluar dhe dyfishin e normës së një dekade më parë. Një reklamë e TikTok, me një foto të një kamioni dhe e postuar më 26 mars, thoshte: “Hej shqiptar. Jo 18 mijë. Jo 19 mijë. Udhëtim 20 mijë stërlina, hotel ku do të qëndroni me pagesë çdo ditë nga ne. Pra, shqiptarët nuk mashtrohen me çmime të ulëta.”

Një tjetër, i postuar më 28 mars shkruan: “Udhëtim nesër në kamion. Kalimi 100%. Pagesa në mbërritje”, ndërsa një i tretë, më 27 mars, deklaroi: “Udhëtim çdo javë për të gjithë shqiptarët. Ne jemi më të mirët për momentin dhe korrekt. Faktet flasin vetë.”

Kontrabandistët e njerëzve reklamojnë gjithashtu marrëveshje në të cilat rregullojnë kontrabandimin e migrantëve në MB si “shoferët e dytë” në kamionët që dërgojnë mallra në Britani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA