Ranë në një gropë teksa luteshin në tempull, shkon në 36 numri i viktimave

31/03/2023 18:31

Ka arritur në 36 numri i personave që kanë ndërruar jetë pasi ranë në një gropë të madhe teksa luteshin në tempullin e qyteti indian të Madhya Pradesh.

Fillimisht u raportua për 35 viktima, ndërsa personi i zhdukur për shumë orë u gjet i vdekur.

14 besimtarë arritën të shpëtoheshin nga vendi ku kishin rënë. Policia vendase deklaroi se viktimat ishin duke qëndruar në një pllakë betoni mbi pus, por ajo u shemb për shkak të peshës së madhe.

Incidenti ndodhi gjatë një ceremonie lutjeje të organizuar në tempullin Beleshwar Mahadev Jhulelal me rastin e festivalit hindu të Ram Navami.

Një turmë e madhe njerëzish po qëndronte mbi pllakën e betonit që mbulonte gropën poshtë thuajse 12 metra të thellë.

Sipas mediave, tempulli ishte ndërtuar aty pasi pusi u mbulua katër dekada më parë, por jo me dhe.

Një ekip prej 75 personash, përfshirë forcat shtetërore dhe kombëtare të reagimit ndaj fatkeqësive janë të angazhuar në përpjekjet e shpëtimit.

Kryeministri Shivraj Singh Chouhan njoftoi se do të ketë një kompensim prej 500,000 rupish apo 6000 dollarë për të afërmit e të vdekurve, dhe 50 mijë rupi për të plagosurit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA