Po mbante fjalim Zelensky, deputetët e djathtë austriakë largohen nga salla!

31/03/2023 12:17

Më shumë se 20 deputetë austriakë të ekstremit të djathtë u larguan nga salla e parlamentit në kohën kur atje po mbante një fjalim presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Argumenti që përdorën politikanët e Partisë Liria, FPO, ishte se ky fjalim shkelte neutralitetin e Austrisë. Ata e kishin paralajmëruar që në fillim një lloj proteste kundër fjalës së Zelenskyt.

Edhe pse e ka bërë të qartë se nuk do ta ndihmojmë me armë ushtrinë ukrainase, Austria e mbështet Kievin plotësisht në nivel politik. Përmes lidhjes video, Zelensky tentoi pikërisht ta falenderonte Vjenën për ndihmën humanitare, dhe ofrimin e ndihmës për pastrim të minave. Fjalimin e tij, kreu i shtetit ukrainas e mbajti në ditën e 400-të të fillimit të agresionit rus në Ukrainë.

Ai i ftoi ligjvënësit austriakë të udhëtonin drejt vendit të tij për ta parë vetë me sytë e tyre shkallën e shkatërrimeve që ka lënë pas konflikti atje. Presidenti i Dhomës së Ulët të Parlamentit, Wolfgang Sobotka, premtoi se Austria do ta shtojë ndihmën financiare e humanitare për Ukrainën duke thënë se e ajo e Meriton plotësisht solidaritetin e austriakëve.

Megjithatë, teksa Zelensky fliste deputetët e ekstremit të djathtë u ngritën e dolën jashtë duke lënë mbi tryezat e tyre disa mbishkrime ku thuhej: “hapësirë për neutralitet” dhe “hapësirë për paqe”.

“Neutraliteti i përhershëm” i Austrisë ka qenë pjesë e kushtetutës së këtij shteti që prej vitit 1955. Ligji përcakton që “Austria nuk do të përfshihet kurrë në aleanca ushtarake dhe as nuk do të lejojë ndërtimin e bazave ushtarake të shteteve të huaja në territorin e saj”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA