690 milionë dollar do të investojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për fuqizimin e programeve të demokracisë nëpër botë.
Me këtë zotim i çeli presidenti Joe Biden punimet e takimit të Dytë për demokracinë.
“Po ndryshojmë rrjedhën këtu. Siç e themi shpesh, gjendemi këtu në një pikë kthese të historisë, kur vendimet që marrim sot do të ndikojnë tek kursi i botës sonë për të paktën disa dekada në vazhdim”.
Objektivi i SHBA-së është i qartë: Ta bëjnë teknologjinë të punojë në favor të demokracisë dhe jo kundër saj. Kjo ide përshkoi të gjithë takimin, ku e tetë vendeve evropiane, Ukrainës, Moldavisë, Polonisë, Republikës Çeke, Estonisë, Letonisë, Lituanisë dhe Sllovakisë, nënshkruan një letër të hapur drejtuar drejtuesve të kompanive kryesore të mediave sociale duke u bërë atyre thirrje që të tregohen më agresivë në bllokimin e përhapjes së informacioneve të rreme në platformat e tyre.
“Platformat e teknologjisë si e juaja janë shndërruar në fushëbeteja virtuale, dhe fuqi të huaja armiqësore po i përdorin për të përhapur variante false që bien në kontradiktë me raportimin që bëjnë mediat me lajme të bazuara në fakte”, thotë letra. “Reklamat e paguara dhe rritja artificialisht e mesazhit në platformat e kompanisë Meta, përfshirë Facebook-un, përdoren shpesh për të bërë thirrje për trazira sociale, shkaktim të dhunës në rrugë dhe destabilizimin e qeverive”, theksohet më tej.
Rreth 120 udhëheqës nga mbarë bota janë duke marrë pjesë në takimit përgjithësisht virtual, përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama. Forumi shihet si një përpjekje e Presidentit Biden për të forcuar pozitat e demokracive në një kohë kur qeveritë autokratike po përparojnë me axhendat e tyre, si sulmi prej 13-muajsh i Rusisë në Ukrainë dhe aleanca e Kinës me Moskën.
Top Channel