Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, beson se Marrëveshja e Ohrit do të ketë pasojë pozitive për të gjithë Ballkanin perëndimor.
“Ndoshta është herët për të thënë. Megjithatë unë shpresoj se ajo do të shënohet në histori”, është shprehur kreu i misionit diplomatik të SHBA-së në Beograd, e për këtë pohim të tillë, ka dhënë dhe argumente. “Nga njëra anë, thotë Hill, ky moment do të kujtohet gjithmonë si pika nga ku nisi normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe që i bëri që kufijtë t’i bashkojnë njerëzit, jo t’i ndajnë ata”, u shpreh ai.
“Ajo gjithashtu, do të jetë pika e kthesës ku filluam të merremi në radhë të parë me çështjet ekonomike dhe bashkëpunimin ekonomik”, ka shtuar ai. Gjatë dy ditëve të fundit, Hill ka vizituar jugun e Serbisë ku është përpjekur të shpjegojë se Marrëveshja e Ohrit ka të bëjë me “Kosovën, jo me këtë pjesë të Republikës së Serbisë”, por se SHBA-ja me siguri do angazhohet për të ndihmuar pjesë të ndryshme të Ballkanit për të ecur përpara.
Hill kishte theksuar dhe më herët se çështja e pakicës shqiptare në Serbi është “ekskluzivisht çështje e shtetit të Serbisë” dhe se “nuk ka të bëjë fare me dialogun e Brukselit”.
Top Channel