Ish-presidenti Bolsonaro kthehet në Brazil për herë të parë që nga trazirat e 8 janarit

30/03/2023 09:06

Ish-presidenti brazilian Jair Bolsonaro është duke u kthyer në Brazil, pasi ka kaluar muaj në SHBA. Sipas mediave të huaja, politikani i ekstremit të djathtë kthehet për herë të parë që kur mbështetësit sulmuan Gjykatën e Lartë, Kongresin dhe pallatin presidencial në janar.

Trazirat erdhën pas javësh protestash duke pretenduar mashtrim në humbjen e tij nga presidenti të Luiz Inácio Lula da Silva.

Përmes një prononcimi për mediet nga një aeroport në Florida përpara se të hipte në një aeroplan, Bolsonaro tha se nuk do të drejtonte opozitën. Sidoqoftë për CNN, ai tha se do të ndihmonte Partinë e tij Liberale si një “person me përvojë” dhe se ai synonte të udhëtonte nëpër Brazil për të bërë fushatë në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm.

Pasi mbërriti në terminalin në Orlando, ai foli dhe bëri foto me turmat e mbështetësve. Bolsonaro është planifikuar të zbarkojë në kryeqytetin brazilian, Brasília, herët të enjten me orën lokale.

Ish-presidenti përballet me sfida të shumta ligjore në kthimin e tij, duke përfshirë një hetim nëse ai nxiti rebelët që sulmuan ndërtesat kryesore qeveritare një javë pas inaugurimit të Lula-s.

Ai është gjithashtu në qendër të një skandali mbi akuzat se ai u përpoq të importonte dhe mbante në mënyrë të paligjshme bizhuteri në vlerë prej miliona dollarësh, të dhëna atij dhe gruas së tij nga Arabia Saudite në vitin 2019.

Bizhuteritë u konfiskuan nga zyrtarët doganorë brazilianë kur një anëtar i rrethimit të Bolsonaro u përpoq t’i sillte ato në vend në vitin 2021. Të mërkurën, policia federale thirri Bolsonaro për të dëshmuar në çështjen saudite më 5 prill.

Përveç kësaj, ai përballet me 16 çështje përpara Gjykatës së Lartë Zgjedhore të Brazilit (TSE), të cilat mund ta pengojnë atë të kandidojë për tetë vjet, duke e hequr atë nga gara presidenciale e vitit 2026.

Ai u largua nga vendi në dhjetor përpara se pasardhësi i tij të bënte betimin, duke udhëtuar në Florida ku aplikoi për një vizë turistike gjashtëmujore amerikane.

Bolsonaro humbi ngushtë zgjedhjet presidenciale tetorin e kaluar ndaj rivalit të tij të krahut të majtë, gjë që çoi në pretendime të pabazuara nga mbështetësit e tij për mashtrim në votime – duke u përshkallëzuar përfundimisht në skenat e dhunshme në kryeqytet.

Ai ka shprehur “keqardhjen” për trazirat, por mohon se i ka shkaktuar ato.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA