Bashkimi Europian ka ndezur motorët e përpjekjeve për të detyruar palët të vënë sa më shpejt në jetë zotimet e marra në takimin e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Takimi i kryenegociatorëve të të të dy vendeve është caktuar të mbahet 4 prill, konfirmuan zyrtarë të bllokut europian.
“Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkovic, do të shkojnë javën e ardhshme në Bruksel për të “diskutuar për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë“, thanë ata.
Të hënën, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, njoftoi mbajtjen e takimit me ftesë të ndërmjetësuesit të dialogut, Mirosllav Lajçak. Kjo është përballja e parë e dy negociatorëve kryesorë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç u pajtuan në 18 mars me zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve. Me tekstin e saj ndërkohë, kishin rënë dakord në takimin e Brukselit në 27 shkurt. Për rezultatet e Ohrit, shefi i diplomacisë së BE-së Josep Borell, raportoi edhe para ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, si dhe përpara udhëheqësve të shteteve të bllokut evropian.
Këta të fundit e kanë përshëndetur ujdinë e arritur nga liderët e Kosovës dhe Serbisë, por u bënë thirrje të dyja palëve të “përmbushin detyrimet e tyre në mënyrë të shpejtë dhe në mirëbesim”.
Top Channel