U gjet i vdekur në një hotel në Divjakë, Prokuroria Lushnjë nis hetimet për vdekjen e shtetasit spanjoll

29/03/2023 16:31

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë ka nisur hetimet për vdekjen e shtetasit spanjoll Franciso Cervilla, i cili u gjet i vdekur në një hotel në Divjakë.

Përmes një njoftimi bëhet me dije se “Prokuroria ka regjistruar procedimin penal nr. 146, të vitit 2023, për veprat penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal, pa autor, lidhur me vdekjen e shtetasit spanjoll Francisco Javier Carraso Cervilla. Ky procedim penal ka filluar mbi bazën e materialeve të dërguara nga Komisariati i Policisë Divjakë.”

Regjistrimi i këtij procedimi penal është bërë me qëllim kryerjen e një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm për dinamikën dhe shkaqet e ngjarjes, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Procedimi penal ndodhet në fazën fillestare, çka nënkupton se deri më tani janë kryer veprimet e plota hetimore që konsistojnë në këqyrjen e vendit të ngjarjes, sekuestrimin e provave materiale dhe këqyrjen e tyre, janë marrë vendimet e nevojshme të ekspertimit, si dhe janë pyetur persona që kanë dijeni për ngjarjen.

Më herët u raportua se, 47 vjeçari Cervilla kishte dëmtuar veten me thikë dhe për pasojë ka humbur jetën. Sipas dëshmisë së shokut të dhomës, ai u dëmtua me mjet prerës gjatë kohës që kishte qenë duke bërë dush.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA