“Kërkova të më tregonin arsyen e ndalimit. Njëri nga oficerët e policisë e arsyetoi këtë duke thënë se jam në listën e personave në kërkim”, tha zoti Zharov.
32 vjeçari u gjet përmes teknologjisë për identifikimin e fytyrës, e cila është vendosur gjithandej në sistemin e metrosë së qytetit. Një hulumtim i agjencisë Reuters zbuloi se rrjeti i vëzhgimit në Moskë luan rol kyç në arrestimin e protestuesve kundër qeverisë. Gjetjet tregojnë se nga fillimi i sulmit rus kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022, autoritetet kanë filluar të shfrytëzojnë teknologjinë për identifikimin e fytyrës si masë për t’i frikësuar njerëzit të protestojnë.
“Në Rusi, kemi vëllain e madh që na shikon vazhdimsht. Njerëzit nuk mund të flasin shumë për çështje politike”, thotë aktivisti Sergei Pinchuk.
Le të hedhim një vështrim më të detajuar se si pajisjet për idenfikimin e fytyrës ndihmojnë policët rusë të gjejnë dhe kapin kundërshtarët e Kremlinit, sa herë që ata duan. Më 2017, qyteti i Moskës njoftoi krijimin e një prej rrjeteve më të mëdha në botë të teknologjisë vëzhguese për identifikimin e fytyrës. Rreth 160 mijë kamera u instaluan në të gjithë qytetin për të ndihmuar në zbatimin e ligjit, thanë në atë kohë autoritetet e qytetit. Metroja e Moskës shfrytëzon pajisjet për identifikimin e fytyrave për të parë nëse personat kryejnë pagesat dhe për arsye sigurie. Pasagjerët fotografohen teksa kalojnë portën e hyrjes. Pastaj, përmes inteligjencës artificiale, analizohen dhe indentifikohen personat.
Nëse sistemi sinjalizon për dikë, policia reagon brenda pak sekondave, ose minutave, duke e ndaluar atë. Këtë përshkrim japin 29 persona, që janë arrestuar në këtë mënyrë. Të gjithë kanë një gjë të përbashkët – ata janë kritikë të Presidentit Vladimir Putin. Shumica kanë qenë pjesë e protestave kundër qeverisë.
“Mendoj se arsyeja pse u ndalova në metro është qëndrimi im kundër luftës së Rusisë dhe Ukrainës dhe kundër represionit politik në vend”, thotë aktivisti Zharov.
Të dhënat e mbi 2 mijë proceseve gjyqësore, tregojnë se këto kamera kanë luajtur rol të rëndësishëm në arrestimin e qindra protestuesve. Shumica e këtyre personave u arrestuan në vitin 2021, pasi iu bashkuan protestave kundër qeverisë.
Aktivisti 27 vjeçar, Sergei Pinchuk është njëri prej tyre.
“Më 9 maj, më ndaluan në një nga stacionet e metrosë së Moskës. Më parë më kishin ndaluar pesë, ose gjashtë herë për shkak të aktivitetit tim politik, por ky ndalim ishte i veçantë. Ishte i pazakontë, sepse më arrestuan për asgjë. Sa hyra në metro një polic erdhi dhe më tha se jam i arrestuar”, shpjegon zoti Pinchuk.
Ai thotë se policia e çoi në stacion dhe e mori në pyetje.
“Aty ishte një polic me mbiemrin Rogov. E mbaj mend sepse më kërcënoi. Më kapi nga qafa, më vendosi për muri dhe më goditi disa herë me shqelma. Ishte i dhunshëm. Ishte përvojë shumë e keqe”, thotë ai.
As aktivisti Pinchuk, as Zharov nuk u akuzuan për ndonjë vepër penale. Zyrtarët rusë dhe ata të Moskës nuk iu përgjigjën pyetjeve të agjencisë Reuters lidhur me ndalimin e tyre, apo të intervistuarve të tjerë. Kremlini i referoi pyetjet tek zyra e kryebashkiakut të Moskës, e cila nuk u përgjigj. As ministria e Brendshme e Rusisë, e cila mbikëqyr zbatimin e ligjit, nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara përmes Kremlinit. Për aktivistët Pinchuk dhe Zharov, vëzhgimi, rreziku i burgosjes dhe trysnia e policisë, përmbysën jetën e tyre. Duke mos parë zgjidhje tjetër, ata u larguan nga Rusia.
“Pas arrestimit, pata ndjesinë se Rusia po shndërrohej në një vend të ngjashëm me rajoni Xinjiang në Kinë, ku teknologjitë moderne bëhen vegël e një diktatori”, thotë aktivisti Zharov.
Ai është zhvendosur në Gjermani, ndërsa aktvisti Pinchuk vendosi të largohet drejt Shteteve të Bashkuara. Tani ai jeton në Siatëll dhe po kërkon azil.
“Gjithçka ndodhi kaq shpejt. Nuk jam penduar. Por me kalimin e kohës e kuptova se u largova nga shtëpia, jeta ime, prindërit, miqtë, qeni im. Kur hipa në makinë drejt aeroportit, më erdhi për të qarë. Kjo ishte hera fundit që kam qarë”, thotë ai.
Në të ardhmen, ai shpreson që vendi i tij të ndryshojë, megjithëse thotë se është realist dhe se nuk pret ndryshime të shpejta./VOA