Komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, Oleksandr Syrskyi, ka thënë të hënën se trupat ushtarake janë duke vazhduar të zmbrapsin sulmet e ashpra ruse në Bahmut, dhe se kontrollimi i këtij qyteti përbën “nevojë ushtarake”.
Ushtria ukrainase ka thënë se koloneli Syrskyi i ka bërë këto deklarata në një vizitë në linjën e frontit në lindje ku ka tentuar “të zgjidhë çështje problematike që parandalojnë ekzekutimin efektiv të detyrave ushtarake” dhe të marrë “vendime operacionale që kanë për qëllim forcimin e kapaciteteve për të luftuar dëmin e armikut”.
Në deklaratë nuk janë dhënë detaje për vendin e saktë të vizitës, mirëpo komentet e Syrskyit kanë dhënë shenja se Ukraina mëton të luftojë për Bahmutin, pavarësisht numrit të madh të trupave atje.
“Faza më intensive e betejës për Bahmutin është duke vazhduar. Situata vazhdon të jetë e vështirë. Armiku është duke u përballur me humbje të mëdha të burimeve njerëzore, armëve dhe pajisjeve ushtarake, mirëpo vazhdon të kryejë sulme”, ka thënë ai.
Duke e vlerësuar qëndrueshmërinë e forcave ukrainase në kushte “jashtëzakonisht të vështira”, ai ka thënë se “mbrojtja e Bahmutit është nevojë ushtarake”. “Ne jemi duke kalkuluar të gjithë skenarët në të ardhmen dhe do të reagojmë në mënyrë adekuate për situatën aktuale”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka vizituar Bahmutin javën e kaluar dhe u ka dhënë medalje trupave që janë duke luftuar për atë zonë.
Të shtunën, komandanti i përgjithshëm, Valery Zaluzhniy, ka thënë se situata rreth Bahmutit është duke u “stabilizuar”./ REL
Top Channel