Tentuan të kalonin Mesdheun për të arritur në Itali, fundosen anijet në Tunizi/ Humbin jetën të paktën 29 emigrantë

26/03/2023 18:26

Të paktën 29 emigrantë kanë humbur jetën pasi dy anije të vogla u fundosën afër brigjeve të Tunizisë brenda disa orësh.

Autoritetet vendase deklaruan se emigrantët po tentonin të kalonin Mesdheun për të arritur në Itali.

Fundosja e dy anijeve vjen pas një sërë ngjarjeve të ngjashme që kanë ndodhur në brigjet tuniziane në ditët e fundit, pasi në katër ditët e fundit janë fundosur edhe pesë anije të tjera.

Këto ngjarje vijnë pasi Tunizia ka nisur një fushatë kundër emigrantëve afrikanë pa dokumente.

Zyrtarët italianë në ishullin e Lampedusës thanë se kanë regjistruar rekord të arrijes së emigrantëve brenda 24 orëve, ku janë regjsituar 2,500 persona.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka paralajmëruar se Evropa mund të përballet me rreziqe pasi një valë e madhe refugjatët mund të arrijnë në kontinent.

Tunizia është bërë qendër për emigrantët të cilët duan të arrijnë në Evropë. Kombet e Bashkuara kanë thënë se të paktën 12,000 emigrantë që kanë arritur këtë vit në brigjet italiane, ishin nisur nga Tunizia. Kjo shifër ishte 1,300 në periudhën e njëjtë në vitin e kaluar.

Megjithatë, rojet bregdetare tuniziane janë shprehur se po ndërmarrin hapa për të ndaluar emigrantët që të kalojnë Mesdheun, duke argumentuar se kanë ndaluar rreth 80 anije që ishin nisur drejt Evropës në katër ditët e fundit. Autoritetet tuniziane po ashtu kanë thënë se kanë arrestuar mbi 3,000 emigrantë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA