Gazeta gjermane, “Die Zeit” botoi një artikull ku thuhej se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç shfrytëzoi informacione të falsifikuara nga një grup hakerësh izraelitë për të nisur një fushatë kundër opozitarit, Dragan Gjilas.
Pas zbardhjes së skandalit të madh për grupin izraelit të hakerave “Team Jorge”, i cili manipulonte zgjedhjet në mbarë botën për para, një grup gazetarësh hulumtues, ku bënin pjesë edhe gazetarë gjermanë të gazetës Die Zeit, bëjnë të ditur se udhëheqësi serb ka shfrytëzuar shërbimet e grupit.
“Vuçiç më pas pretendoi se konkurrenti i tij politik, Gjilas ka fshehur pasurinë në disa banka botërore. Më pas mediat pro-qeveritare raportuan për llogaritë e pretenduara në Mauritius dhe Zvicër. Në fund, rezultoi se ky informacion ishte i falsifikuar”, shkroi mediumi gjerman.
Gazeta më pas përshkruan se si gazetarët e mbledhur në një konsorcium të quajtur “Historitë e Ndaluara” hetuan fshehurazi aktivitetet e grupit “Team Jorge” për muaj të tërë, për të publikuar rezultatet në muajin shkurt. Ajo tërhoqi vëmendjen e medieve botërore.
Sipas gazetës, Vuçiç është përballur me akuza për lidhje me krimin e organizuar, akuza këto të cilat i ka mohuar. Gjatë një vizite në Emiratet e Bashkuara Arabe, kreu i shtetit serb u shpreh për një medie pro-qeveritare se pas këtyre qëndron opozitari.
Sipas Vuçiçit, Gjilas fshehu ilegalisht asetet në disa banka në mbarë botën. Ai premtoi se detajet do të zbulohen së shpejti. Pak ditë pas kësaj, shtypi pro-qeveritar filloi të botojë artikuj rreth llogarive të pretenduara të Gjilasit jashtë vendit. Faqja e parë e një gazete pretendonte se Gjilas kishte fshehur 6.4 milionë euro në Zvicër dhe Mauritius.
Gazetarët pretenduan se kishin prova të llogarive bankare, komentatorët folën për pastrim parash dhe evazion fiskal.
Ministri i Financave i Serbisë ka valëvitur para kamerave një raport sipas të cilit Gjilas dyshohet se ka dhjetëra llogari të mbushura me para të vjedhura. Gjilas mohoi gjithçka dhe i kundërshtoi ato pretendime në gjykatë.
Përveç kësaj, ai tregoi një letër nga banka e përmendur zvicerane në të cilën konfirmon se ai kurrë nuk kishte llogari atje. Akuzat u avulluan. Gazeta gjermane më pas bën pyetje logjike, “Nga erdhi ky informacion?”.
“Gjatë punës së fshehtë hulumtuese të Konsorciumit (Tregime të ndaluara, shënim i redaktorit), i cili përfshin më shumë se 100 gazetarë nga 30 organizata mediatike, ‘Team Jorge’ prezantoi një shërbim që dyshohet se gjeti të gjitha llogaritë bankare të një personi”, raporton Die Zeit.
Formati dhe struktura e raportit për pasurinë e pretenduar të Gjilasit është i ngjashëm me raportet e paraqitura para gazetarëve të maskuar si klientë gjatë hulumtimit të tyre. Dhe në të vërtetë, disa burime të OCCRP konfirmojnë se Tal Hanan, lideri i ‘Team Jorge’, qëndron pas informacioneve të supozuara për Gjilas, pohon gazeta gjermane.
Ata theksojnë se ende nuk është e qartë se kush ishte drejtori.
“Është e mundur që një rol të caktuar të ketë luajtur një këshilltar politik izraelit i cili ka punuar për Vuçiçin në vitin 2017, dhe në të kaluarën ka punuar edhe për Benjamin Netanyahun. Kjo është arsyeja pse zyrtarët qeveritarë nga Serbia nuk u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve që punojnë për ( konsorciumi) “Tregime të Ndaluara””, thuhet në përfundim.
Top Channel