Një ngjarje kriminale ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Lezhë, ku dyshohet se është qëlluar drejt një makine në ecje, por nuk ka pasur persona të lënduar.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se mjeti lëvizte nga Tirana drejt Lezhës në momentin që dyshohet se është qëlluar.
Për të shpëtuar mjeti është aksidentuar me një mjet tjetër. Deri më tani policia ka raportuar se nuk dihet për të shtëna, por vetëm për aksidentin.
Në polici janë shoqëruar disa persona, të cilët dyshohet se kanë lidhje me ngjarjen ose mund të kenë më shumë informacione.
Njoftimi policisë:
Lezhë/ Në lidhje me një lajm të publikuar në media, sipas të cilit pretendohet se në aksin rrugor Tiranë-Lezhë është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti në lëvizje, ju sqarojmë se:
Rreth orës 16:20, në aksin rrugor Tiranë-Lezhë, në Ishull Lezhë, janë aksidentuar automjeti tip “Audi A6” me drejtues shtetasin M. K., 36 vjeç, banues në Lezhë me automjetin tip “Audi Q5″me drejtues shtetasin K. Gj., 24 vjeç, banues në Lezhë, me pasoja vetëm dëme materiale.
Shërbimet e Policisë Rrugore po kryejnë veprimet administrative për trajtimin e ngjarjes rrugore si aksident me dëme materiale.
Të dy drejtuesit e automjeteve, së bashku me pasagjerët në këto automjete, ndodhen të shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë, për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Top Channel