Ligjvënësit amerikanë e pyetën gjerësisht të enjten drejtorin ekzekutiv të platformës TikTok në lidhje me sigurinë e të dhënave dhe përmbajtjen e dëmshme, duke reaguar me spekticizëm gjatë një seance të tensionuar dëgjimore ndaj garancive që ai ofroi, se ky aplikacion shumë popullor i shpërndarjes së videove e ka përparësi sigurinë e përdoruesve dhe se për rrjedhojë nuk duhet ndaluar.
Dëshmia e zotit Shou Zi Chew u bë në një moment jetik për kompaninë, e cila ka 150 milionë përdorues amerikanë, por gjendet nën një presion në rritje nga zyrtarët amerikanë. TikTok dhe kompania mëmë ByteDance janë përfshirë në një betejë më të gjerë gjeopolitike mes Pekinit dhe Uashingtonit në lidhje me tregtinë dhe teknologjinë.
Në një përpjekje të rrallë dypartiake për të vendosur nën kontroll fuqinë e një platforme të rëndësishme të mediave sociale, ligjvënës republikanë dhe demokratë i drejtuan pyetje zotit Chew për një seri tematikash, që nga praktikat e TikTok-ut për moderimin e përmbajtjes, deri tek se si kjo kompani do të mbrojë të dhënat e amerikanëve nga Pekini, si dhe për survejimin e gazetarëve në këtë rrjet.
“Zoti Chew, ju ndodheni këtu pasi populli amerikan ka nevojë për të vërtetën lidhur me rrezikshmërinë që TikTok-u paraqet për sigurinë tonë kombëtare dhe personale”, tha kryetarja republikane e komisionit, Cathy McMorris Rodgers, në deklaratën e saj çelëse. “TikTok-u ka zgjedhur në mënyrë të përsëritur drejtimin për më shumë kontroll, më shumë survejim dhe më shumë manipulim”.
Zoti Chew, një 40-vjeçar i lindur në Singapor, i tha Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Energjinë dhe Tregtinë se TikTok-u e ka përparësi sigurinë e përdoruesve në moshë të re dhe mohoi akuzat se është një rrezik për sigurinë kombëtare. Ai përsëriti planet e kompanisë për të mbrojtur të dhënat e të gjithë amerikanëve, duke ruajtur të gjitha informacionet për ta në servera në pronësi të kompanisë Oracle, që mirëmbahen nga kjo e fundit.
“Lejomëni ta deklaroj pa asnjë mëdyshje: ByteDance nuk është agjente e Kinës apo e ndonjë vendi tjetër”, tha zoti Chew.
Të mërkurën, kompania dërgoi dhjetëra përdorues të famshëm të platformës TikTok në Kongres për të bërë lobim me ligjvënësit që ta mbajnë në funksionim këtë platformë. Kompania ka vendosur gjithashtu reklama në mbarë Uashingtonin, ku premtohet se do të sigurohen të dhënat dhe privatësia, dhe se do të krijojë një platformë të sigurtë për përdoruesit e moshave të reja.
TikTok-u është shoqëruar nga akuzat se pronësia e saj kineze do të thotë që të dhënat e përdoruesve mund të bien në duart e qeverisë kineze, apo se mund të përdoret për të mbështetur teoritë që ndihmojnë udhëheqjen komuniste të Kinës.
Në vitin 2019, gazeta Guardian raportoi se TikTok-u po udhëzonte moderatorët e tij të censuronin videot që përmendin sheshin Tiananmen dhe imazhe të tjera të pafavorshme për qeverinë kineze. Platforma thotë se që atëherë ka ndryshuar praktikat e saj të moderimit.
Kompania ByteDance pranoi në dhjetor se shkarkoi katër punonjës verën e kaluar, të cilët kishin qasje në të dhënat për dy gazetarë, si dhe njerëz të tjerë të lidhur me ta, ndërsa përpiqeshin të gjurmonin burimin e një raportimi të bërë publik në lidhje me kompaninë.
Nga ana e tij, TikTok-u është përpjekur të distancohet nga origjina e tij kineze, duke thënë se 60% e kompanisë së saj mëmë ByteDance është në pronësi të investitorëve globalë si Carlyle Group. ByteDance u themelua nga sipërmarrës kinezë në Pekin në vitin 2012. Në përgjigje të një artikulli në Wall Street Journal, Kina tha se do të kundërshtonte çdo përpjekje të Shteteve të Bashkuara për ta detyruar kompaninë ByteDance që ta shesë aplikacionin.
Zoti Chew kundërshtoi idenë se pronësia e TikTok-ut ishte një problem më vete.
“Besimi ka të bëjë me veprimet që ne ndërmarrim”, tha zoti Chew. “Pronësia nuk është në thelb të trajtimit të këtyre shqetësimeve”.
Në një nga momentet më dramatike, ligjvënësja republikane Kat Cammack shfaqi një video të TikTok-ut që tregonte një armë zjarri dhe një mbishkrim ku përfshihej komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që mbante seancën, me datën e saktë përpara se të shpallej zyrtarisht.
“Ju prisni që ne të besojmë se jeni në gjendje të ruani sigurinë e të dhënave, privatësinë dhe sigurinë e 150 milionë amerikanëve kur nuk mund të mbroni as njerëzit në këtë dhomë”, i tha ligjvënësja Cammack zotit Chew.
Ligjvënësit u përpoqën të përshkruanin një pamje të TikTok-ut si një kompani me ndikim të Pekinit, e interesuar për të nxjerrë fitime në dëm të shëndetit mendor dhe fizik të amerikanëve. Anëtarët e komisionit treguan një mori videosh të TikTok-ut që inkurajonin përdoruesit të dëmtonin veten dhe të kryenin vetëvrasje. Shumë shtruan pyetjen se përse homologu kinez i kësaj platforme, Douyin, nuk ka të njëjtën përmbajtje të diskutueshme dhe potencialisht të rrezikshme si produkti për tregun amerikan.
Zoti Chew u përgjigj se kjo varet nga ligjet e vendit ku funksionon aplikacioni. Ai tha se kompania ka rreth 40 mijë moderatorë që gjurmojnë përmbajtjen e dëmshme, si dhe një algoritëm që sinjalizon për materialin përkatës.
“Nuk mendoj se mund të ulem këtu dhe të them se jemi të përsosur për ta bërë këtë”, tha zoti Chew. “Po punojmë shumë”.
Një ndalim në Shtetet e Bashkuara për një aplikacion të caktuar do të ishte i paprecedentë dhe është e paqartë se si do ta zbatonte këtë masë qeveria.
Ekspertët thonë se zyrtarët mund të përpiqen t’i detyrojnë kompanitë Apple dhe Google që ta heqin TikTok-un nga aplikacionet që ato ofrojnë. Shtetet e Bashkuara mund të bllokojnë gjithashtu qasjen në infrastrukturën dhe të dhënat e TikTok-ut, të konfiskojnë adresat në internet ose të detyrojnë ofruesit e shërbimeve të internetit, si Comcast dhe Verizon, që të filtrojnë trafikun e të dhënave të TikTok-ut, tha Ahmed Ghappour, ekspert i ligjit penal dhe sigurisë kompjuterike, i cili jep mësim në Shkollën Juridike të Universitetit të Bostonit.
Por një përdorues me njohuri teknologjike mund t’i kapërcejë gjithsesi kufizimet duke përdorur një rrjet privat virtual për ta bërë të duket se përdoruesi është në një vend tjetër ku aplikacioni nuk është i bllokuar, tha ai.
Për të shmangur një masë të tillë ndalimi, TikTok-u është përpjekur t’u paraqesë zyrtarëve një plan prej 1.5 miliardë dollarësh të quajtur Project Texas, i cili dërgon të gjitha të dhënat e përdoruesve amerikanë tek serverat vendas në pronësi të kompanisë Oracle. Sipas projektit, qasja në të dhënat e amerikanëve do të menaxhohet nga punonjës amerikanë përmes një entiteti të veçantë të quajtur “TikTok U.S. Data Security”, i cili do të punësojë 1500 persona, do të drejtohet në mënyrë të pavarur nga ByteDance dhe do të monitorohet nga vëzhgues të jashtëm.
Që nga tetori, të gjitha të dhënat e reja të përdoruesve në Shtetet e Bashkuara po ruhen brenda vendit. Kompania filloi këtë muaj fshirjen e të gjitha të dhënave historike të përdoruesve amerikanë nga serverat që nuk i përkasin kompanisë Oracle, në një proces që pritet të përfundojë më vonë këtë vit, tha zoti Chew.
Në përgjithësi, studiuesit kanë thënë se TikTok-u sillet si kompanitë e tjera të mediave sociale kur bëhet fjalë për mbledhjen e të dhënave. Në një analizë të publikuar në vitin 2021, Laboratori i Universitetit të Torontos zbuloi se TikTok-u dhe Facebook-u mbledhin sasi të ngjashme të të dhënave të përdoruesve.
Për të bllokuar një gjurmim të tillë, Kongresi, Shtëpia e Bardhë, forcat e armatosura amerikane dhe më shumë se gjysma e shteteve amerikane kanë ndaluar përdorimin e aplikacionit në pajisjet zyrtare.
Por fshirja e të gjitha të dhënave të gjurmuara të lidhura me këtë platformë mund të jetë e vështirë. Në një raport të publikuar këtë muaj, kompania e sigurisë kibernetike Feroot tha se të ashtuquajturat grimca gjurmuese nga ByteDance, të cilat mbledhin informacionin e përdoruesve, u gjetën në 30 faqe shtetërore interneti në Shtetet e Bashkuara, megjithëse në disa prej tyre ishte i ndaluar ky aplikacion.
Vende të tjera, ndër to Danimarka, Kanadaja, Britania e Madhe dhe Zelanda e Re, së bashku me Bashkimin Evropian, e kanë ndaluar tashmë përdorimin e TikTok-ut në pajisjet e dhëna për punonjësit e qeverisë.
David Kennedy, një ish-punonjës i shërbimeve të zbulimit që tashmë drejton kompaninë e sigurisë kibernetike TrustedSec, pajtohet me ndalimin e qasjes në TikTok nga telefonat e lëshuar nga qeveria, sepse ato mund të përmbajnë informacione sekrete. Një ndalim mbarëkombëtar megjithatë, mund të jetë masë shumë ekstreme, tha ai.
“Në Kinë kemi kompanitë amerikane si Tesla, Microsoft dhe Apple. A do të fillojnë të na ndalojnë tani?” tha zoti Kennedy. “Kjo mund të përshkallëzohet shumë shpejt”.
Top Channel