Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka paralajmëruar se Vladimir Putin nuk ka plane të menjëhershme për paqe në Ukrainë, kështu që Perëndimi duhet të përgatitet për të ofruar ndihmë të armëve për Kievin për një kohë të gjatë.
Përmes një interviste për The Guardian, Stoltenberg tha se presidenti rus ishte i përfshirë në “një luftë rrënimi” dhe se ai donte që anëtarët e NATO-s të bien dakord që të shpenzonin 2% të PBB-së për mbrojtjen si minimum në samitin e ardhshëm të aleancës, në kryeqytetin lituanez, Vilnius.
Luftimet e ashpra, të përqendruara aktualisht rreth Bakhmutit, në Ukrainën lindore, tregojnë se Rusia është e gatshme “të hedhë mijëra e mijëra trupa të tjera për përfitime minimale”, citohet të ketë thënë kreu i NATO-s.
“Presidenti Putin nuk planifikon paqen, ai po planifikon për më shumë luftë”, vazhdoi Stoltenberg, duke shtuar se Rusia po rrit prodhimin industrial ushtarak dhe “u afrohet regjimeve autoritare si Irani apo Koreja e Veriut, dhe të tjerë për të marrë më shumë armë”.
Si rezultat, SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe shtetet e tjera perëndimore ishin përgatitur për të mbështetur Ukrainën me armë, municione dhe rezerva për një kohë të gjatë.
Por “nevoja do të vazhdojë të ekzistojë,…”, ka thënë sekretari i përgjithshëm.
Aktualisht, shkruan The Guardian, lufta ishte aq intensive saqë përdorimi i predhave të artilerisë nga Ukraina – 4,000 deri në 7,000 në ditë ndaj 20,000 të Rusisë – po ia kalonte prodhimit perëndimor.
“Shkalla aktuale e shpenzimeve të municionit është më e lartë se shkalla aktuale e prodhimit”, ka treguar Stoltenberg, megjithëse kontratat e reja nënkuptonin se kjo po ndryshonte. Kjo ishte edhe arsyeja pseanëtarët e BE-së ranë dakord në fillim të kësaj jave të furnizonin Ukrainën me një milion predha, të mjaftueshme për 6 muaj apo më shumë.
Sidoqoftë, duke shkuar në atë që pritet të jetë samiti i tij përfundimtar, Stoltenberg tha se donte që anëtarët e NATO-s të përgatiteshin të shpenzonin më shumë për të “kthyer mbrapsht” Rusinë.
Raporti vjetor i NATO-s, i publikuar të martën, pranoi se vetëm shtatë nga 30 shtete anëtare – SHBA, Britania e Madhe, Polonia, Greqia dhe vendet baltike – përmbushën objektivin aktual të shpenzimeve të mbrojtjes prej 2% të PBB-së në 2022. Franca me 1.89% dhe Gjermania në 1.49% dështoi, megjithëse të dyja janë angazhuar për rritje.
“Në samitin tonë në Vilnius në korrik, pres që aleatët të bien dakord për një premtim të ri më ambicioz për investimet e mbrojtjes, me 2% të PBB-së si minimum për t’u investuar në mbrojtjen tonë”, ka theksuar Stoltenberg.
Po aq e rëndësishme, tha kreu i NATO-s, do të ishte të bindësh Kinën për mosfurnizim me armë Rusinë, duke mos pasur gjithashtu municione kyçe. Kinës, udhëheqësi i së cilës, Xi Jinping, vizitoi Moskën në fillim të javës, i është thënë nga anëtarët e NATO-s se do të kishte “pasoja” nëse ajo do t’i jepte ndihmë “vdekjeprurëse” Moskës.
Sidoqoftë, Stoltenberg mendon se perëndimi kishte siguruar pajisje të mjaftueshme ushtarake, duke përfshirë tanke, automjete luftarake dhe artileri raketash, “për t’u mundësuar ukrainasve për të rimarrë territorin dhe për të çliruar gjithnjë e më shumë toka” të pushtuara nga Rusia që nga fillimi i agresionit në shkurt të vitit 2022.
Qëllimi, theksoi ai, ishte “të mundësonte ukrainasit të nisnin një ofensivë dhe të rimarrin territorin”, megjithëse ai tha se NATO nuk ishte palë në konflikt, me anëtarët e aleancës që merrnin vendimin e tyre për sigurimin e armëve dhe duke ia lënë llogaritjet e fushëbetejës komandantëve të Ukrainës.
Por kreu i NATO-s nuk përjashtoi mundësinë që shtetet anëtare të shkojnë më tej duke dërguar F-16 ose aeroplanë të tjerë perëndimorë në Ukrainë, pas një lutjeje nga presidenti i saj, Volodymyr Zelensky, në shkurt. Kujtojmë se, këtë muaj Polonia dhe Sllovakia ranë dakord të japin 17 MiG-29 të standardit sovjetik, por numri total i disponueshëm është i vogël.
Top Channel