Një raport i publikuar në prag të konferencës së parë të OKB-së për ujin në më shumë se 45 vjet, thotë se 26% e popullsisë së botës nuk ka qasje tek uji i pijshëm i sigurt dhe 46% nuk kanë qasje tek elementet bazë të higjienës.

Raporti i OKB-së për Zhvillimin Botëror të Ujit 2023, i publikuar të martën, ofron një pamje të zymtë të hendekut të madh që duhet të tejkalohet për të përmbushur objektivat e OKB-së, për të siguruar që të gjithë njerëzit të kenë qasje tek uji i pastër dhe elementet bazë të higjienës deri në vitin 2030.

Richard Connor, kryeredaktor i raportit, tha në një konferencë shtypi se kostoja e vlerësuar për përmbushjen e objektivave është midis 600 miliard dhe 1 trilion dollarë në vit.

Por po aq e rëndësishme, tha Connor, është krijimi i partneriteteve me investitorët, financuesit, qeveritë dhe komunitetet e prekura nga ndryshimet klimatike, për të siguruar që paratë të investohen për të mbështetur mjedisin dhe për të siguruar ujë të pijshëm për 2 miliardë njerëz që nuk e kanë atë dhe kanalizime për 3.6 milionë njerëz në nevojë.

Sipas raportit, përdorimi i ujit në shkallë botërore është rritur me afërsisht 1% në vit gjatë 40 viteve të fundit “dhe pritet të rritet me një ritëm të ngjashëm deri në vitin 2050, i nxitur nga një kombinim i shtimit të popullsisë, zhvillimit socio-ekonomik dhe ndryshimit të strukturave të konsumit.

Connor thotë se rritja aktuale e kërkesës po ndodh në vendet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim, ku ajo nxitet nga rritja industriale dhe veçanërisht nga rritja e shpejtë e popullsisë në qytete. Pikërisht në këto zona urbane “kemi një rritje të madhe të kërkesës”, tha ai.

Ndërsa bujqësia përdor 70% të të gjithë ujit në shkallë botërore, tha Connor, ujitja për të mbjellat duhet të jetë më efikase. Disa vende tha ai përdorin metoda efikase që kursejnë ujin, duke mos cenuar furnizimet për qytetet.

Si rezultat i ndryshimit të klimës, thuhet në raport, “mungesa sezonale e ujit do të rritet në rajonet ku është aktualisht e bollshme, si Afrika Qendrore, Azia Lindore dhe pjesë të Amerikës së Jugut, dhe do të përkeqësohet në rajonet ku uji tashmë është në mungesë, si Lindja e Mesme dhe Saharaja në Afrikë”.

Mesatarisht, “10% e popullsisë së botës jeton në vende me mungesa të larta ose kritike uji. Deri 3.5 miliardë njerëz jetojnë në kushte me mungesa uji të paktën një muaj në vit, thuhet në raportin e lëshuar nga UNESCO.

Që nga viti 2000, përmbytjet në tropikë janë katërfishuar. Prirjet për thatësira janë më të vështira për t’u parashikuar, tha ai, “megjithëse një rritje në intensitetin e thatësirave dhe temperaturave ekstreme mund të pritet në shumicën e rajoneve si rezultat i drejtpërdrejtë i ndryshimit të klimës“.

Sa i përket ndotjes së ujit, tha Connor, burimi më i madh i ndotjes janë ujërat e zeza të patrajtuara.

“Globalisht, 80% e ujërave të zeza derdhen në natyrë pa u trajtuar,” tha ai, “në shumë vende në zhvillim kjo shkallë është pothuajse 99%.”

Këto dhe çështje të tjera, përfshirë mbrojtjen e ekosistemeve ujore, përmirësimin e menaxhimit të burimeve ujore, rritjen e ripërdorimit të ujit dhe nxitjen e bashkëpunimit përtej kufijve për përdorimin e ujit do të diskutohen gjatë Konferencës së OKB-së për Ujërat të bashkëkryesuar nga Mbreti Willem-Alexander i Holandës dhe Presidenti Emomali Rahmon i Taxhikistanit. Në konferencën që fillon punimet të mërkurën marrin pjesë 171 vende dhe 20 organizata.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA