Vrasja e të pafajshmes Mimoza Pajës në barin ku punonte si banakiere në zonën e Don Boskos si dhe plagosja e 6 personave të tjerë përfshi dhe një të mitur, tashmë duket se ka emra konkret.
Grupi hetimori i ngritur për të hetuar rastin nga analizimi i dëshmive, pamjeve të kamerave të sigurisë dhe provave të lëna pas nga autorët ka rënë në gjurmë të tyre.
“Është një hetim që do të marrë kohën e nevojshme. Policia ka informacione për persona konkrete të përfshirë në këtë ngjarje. Për shkak të sekretit hetimor, nuk mund të japim detaje në këto momente, por nëse do të kemi informacion do ua përcjellim”– tha Tonin Vocaj.
Pista kryesore hetimore ku policia dhe prokuroria e kryeqytetit është fokusuar është hakmarrja për shkak të disa ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura muajt e fundit ku në skenë si person që ka dijeni ka dalë emri i Fatjon Muratit i cili prej 12 marsit është në arrati pasi theu masën e sigurisë arrest shtëpie ku ishte lënë nga gjykata pasi dyshohej i implikuar në zbulimin e 2 bazave me armatim në kryeqytet.
Top Channel