Në shkollën 9-vjeçare shqipe “Goce Delçev” në Maqedoninë e Veriut, mësojnë shqip rreth 300 nxënës shqiptarë.

Por krahas gjuhës shqipe, në klasën e dytë e kanë të detyrueshme të nisin edhe mësimin e gjuhës maqedonase. Problemi është se pasi mbarojnë shkollën 9-vjeçare në shqip, janë të detyruar të ndjekin një gjimnaz maqedonisht, pasi nuk ka gjimnaz në gjuhën shqipe. Çuditërisht emri i shkollës nuk është i shkruar asgjëkundi.

Skandali është se në të vetmen shkollë shqipe të Manastirit, thuajse të gjitha njoftimet në korridoret apo sallën e mësuesve janë në maqedonisht. Nga disa filmime të fshehta të “Inside Story”, duket se edhe në këtë shkollë, është e vështirë të gjesh shqip, megjithëse së paku këtu gjithçka duhet të fliste shqip. Pavarësisht kësaj situate të zymtë, Emira Selimi, një studente nga Shkupi e ka ndarë mendjen që në Manastir të hapë bibliotekën e parë shqipe. Nisma ka gjetur përkrahje të madhe.

Ky është kati përdhe i muzeut të alfabetit ku do të vendoset edhe biblioteka. Më parë, kjo hapsirë ka qenë servish makinash dhe siç dëshmojnë edhe këto pamje, ambienti është mjaft i amortizuar. Aktualisht ai shërben si magazinë për muzeun. Mes gamës së madhe të librave të dhuruar, Emira thotë se ato që do të vendosen në bibliotekën e parë shqipe të Manastirit do të kalojnë në një filtër seleksionimi.

“Do të ngrihet një komision që do të vendose se cilat libra ia vlen të vijnë në këtë bibliotekë. Në shtetin shqiptar do të ketë një komision nga ministrja e kulturës së Shqipërisë, në Maqedoninë e Veriut do të kërkojmë nga historianët dhe Ministria e Kulturës”, u shpreh aktivistja Emira Seliu.

Ajo shpreson që së paku nga fundi i prillit biblioteka të jetë gati. Studentja thotë se ka marrë kërcënime, por, zotohet se nuk do ta ndalë asgjë në këtë nismë.

“Vetëm vdekja mund të më ndalë, asgjë tjetër nuk më tremb”, u shpreh Emira Seliu.

Megjithë skepticizmin nëse do të ketë shqiptarë që do të mund të vijnë në këtë bibliotekë, bashkatdhetarët e manastirit besojnë se bibioteka mund ta rigjallërojë qytezën e harruar të shqiptarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA