Tentoi të fuste në vendin tonë 34 mijë euro të përfituara nga krimi, arrestohet 38-vjeçari

21/03/2023 18:38

Një 38-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi tentoi të fuste në mënyrë të paligjshme në vendin tonë 34 000 euro të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale.

Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se shtetasi me iniciale J. Z, drejtues i furgonit të linjës “Bari-Durrës”, iu ka shpërndarë 4 pasagjerëve paratë me qëllim futjen e tyre në tokën shqiptare, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi.

38-vjeçari përballet me veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

“Operacioni, nga Policia Kufitare e portit të Durrësit, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Durrës, falë inteligjencës informative. Tentoi të fuste në vendin tonë, 34 000 euro që ua kishte ndarë pasagjerëve në furgonin e tij, me qëllim mosdeklarimin konform ligjit, arrestohet në flagrancë 38-vjeçari.

Shkon 6 numri i tentativave të goditura gjatë muajve të fundit, për të futur ilegalisht në vendin tonë, shuma të mëdha parash.

Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Durrës, bazuar në analizën e riskut, me mbështetjen e inteligjencës informative, kanë intensifikuar kontrollet me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare. Në vijim të këtyre kontrolleve, në kuadër të operacionit policor të koduar “Pjesëtimi”, shërbimet e Policisë kaluan në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, automjetin (furgon) e linjës “Bari-Durrës”, me drejtues shtetasin J. Z.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 34 000 euro të cilat shtetasi J. Z. ua kishte ndarë 4 pasagjerëve në furgonin e tij, me qëllim futjen në vendin tonë, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi J. Z., 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme procedural”- thuhet në njoftimin e policisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA