Ministri serb, Ivica Daçiç

Serbia është e gatshme ta zbatojë marrëveshjen e arritur më Kosovën në Ohër të Maqedonisë së Veriut, por deri tek ‘vijat e kuqe’.

Beogradi frenoi sërish pritshmëritë nga rezultati i takimit, e këtë bëri tani përmes ministrit të jashtëm Ivica Daçiç, fytyra e linjës së ashpër të qeverisë serbe. Ujdia me 11 pika, e bërë publike që më 27 shkurt, nuk e detyron Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo dikton po ashtu zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri vonë me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionimin e shtetit.

“Vijat tona të kuqe, me të cilat nuk pajtohemi përfshijnë njohjen reciproke: jo njohje e Kosovës dhe as anëtarësim i Kosovës në Kombet e Bashkuara”, deklaroi Daçiç në Bruksel ku mori pjesë në një konferencë donatorësh për mbledhjen e fondeve, pas tërmetit që ka goditur Turqinë dhe Sirinë muajin e kaluar.

Shefi i diplomacisë serbe insistoi në Ohër se janë ruajtur interesat kombëtare serbe. Sipas tij formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë do të jetë ligjërisht detyrues për Prishtinën, ndërsa për procesin e dialogut nënvizoi se ecën vetëm drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe asgjë më shumë se kaq.

“Mendoj se është vazhdimësi e asaj që kemi filluar rreth 10 vjet më parë, dhe në këtë aspekt, është shumë e rëndësishme të dihet se kjo është një marrëveshje për hapat e mëtejshëm në normalizimin e marrëdhënieve, dhe jo për çështjet e statusit”, ishte komenti i tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA