Krerët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – ia kanë rikonfirmuar të hënën ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore të Kosovës.

Këto zgjedhje do të mbahen më 23 prill, pas shtyrjes së tyre më 18 dhjetor të vitit të kaluar, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.

Përmes një komunikate për media, Lista Serbe – e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka thënë se do ta mbajë këtë qëndrim derisa të plotësohen dy kushte: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe tërheqja e të gjitha njësiteve speciale nga veriu i Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka caktuar 22 marsin si afatin e fundit të aplikimit për pjesëmarrje në këto zgjedhje.

Sipas KQZ-së, deri më tani janë të certifikuar 11 kandidatë për të marrë pjesë në këtë proces zgjedhor. Të 11-it janë të certifikuar nga afati paraprak, i dhjetorit të vitit të kaluar, kur ishte planifikuar të mbaheshin zgjedhjet, pasi në afatin e ri, të hapur në mars, nuk është dorëzuar asnjë aplikim shtesë.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale do të organizohen në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – pas dorëheqjeve të kryetarëve të tyre, në nëntor të vitit të kaluar. Dorëheqjet e tyre, si dhe dorëheqjet kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, kanë qenë shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Prej vitit 2013, kur është formuar kjo parti, ajo ka marrë mbi 90 për qind të votave nga komuniteti serb në pothuajse të gjitha zgjedhjet e Kosovës. Mirëpo, misioni vëzhgues i BE-së rregullisht përmend nëpër raporte se, Lista Serbe e ka “monopolizuar jetën politike në mesin e serbëve të Kosovës”.

Ambasadori Hovenier ka thënë ditë më parë, në një takim me gazetarë, që nëse do të ketë marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, në takimin që është mbajtur në Ohër, më 18 mars, diçka e tillë mund të çonte në pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet në veri.

Edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 18 mars – para nisjes së takimeve në Ohër – që do të dëshironte të diskutohej për këtë temë.

“Ne do të donim t’i shihnim qytetarët serbë të marrin pjesë në zgjedhje. Unë mendoj se i kanë disa shqetësime se si do të dukej përfaqësimi i tyre. Por, jam me shpresë që pas ditës së sotme [18 mars], ne do të kemi një diskutim të ri me ta sa i takon pjesëmarrjes në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Escobar në intervistë.

Në takimin e Ohrit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, të mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kurti ka thënë – pas arritjes së marrëveshjes – se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011. Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA