Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, në konferencën mediatike të zhvilluar mesditën e kësaj të diele, krahas mesazhit drejtuar qytetarëve për të shpjeguar se çfarë ndodhi gjatë takimit në Ohër ka mbajtur edhe një qëndrim sa i përket urdhër-arrestit ndërkombëtar për Putinin.
Vuçiç theksoi se nuk është i sigurt që vendimi për të paditur Putinin ishte një vendim mjaft i mirë dhe i llogaritur.
“Mendoj se urdhër-arresti për Putinin do të ketë pasoja negative politike dhe tregon se ekziston një mungesë e madhe vullneti për të folur për paqe dhe armëpushim”, tha Vuçiç.
Sipas udhëheqësit serb, “është e padiskutueshme që qëllimi i atyre që e bënë këtë është të kufizojnë kanalet e komunikimit të presidentit të Federatës Ruse – sepse kushdo që flet me të ka përshtypjen se është duke folur me një njeri që akuzohet për inicimin e luftës më te keqe në historinë e njerëzimit dhe krime lufte –, për të komplikuar edhe më shumë pozitën ekonomike të Rusisë, si dhe për ta bërë botën një pabesë”, theksoi Vuçiç, duke shtuar se këto do të ishin arsye politike që ai do t’i kuptonte.
Megjithatë, vijoi më tej presidenti serb, ruajtja e jetës dhe vendosja e paqes janë shumë më të rëndësishme se arsyet e lartpërmendura politike.
I pyetur nëse do të kishte një arrestim të mundshëm të Putinit në Serbi, Vuçiç u shpreh se një pyetje e tillë është e “pakuptimtë”.
“Për sa kohë që lufta vazhdon, Putini nuk ka asnjë mënyrë për të arritur në Serbi, e lëre më asgjë tjetër”, tha presidenti serb.
Vlen të theksohet se, këtë të premte Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka lëshuar një urdhër arresti kundër Vladimir Putin të cilin e akuzon për krime lufte dhe dëbimin e paligjshëm të qindra fëmijëve nga Ukraina. Putin ende nuk ka komentuar publikisht mbi urdhër-arrestin. Zëdhënësi i Kremlinit e ka quajtur urdhër-arrestin “të pavlefshëm”, duke shtuar se Rusia i konsideron çështjet e ngritura nga ICC si “të egra dhe të papranueshme”.
Putin është presidenti i tretë ndaj të cilit është lëshuar një urdhër-arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, por gjasat e arrestimit të tij janë të pakëta pasi së pari Rusia nuk është një vend anëtar i Gjykata Ndërkombëtare Penale, që do të thotë se gjykata, e vendosur në Hagë, nuk ka autoritet atje.
Dhe së dyti, edhe nëse ajo do të ishte, gjykata nuk ka kompetenca për të arrestuar të dyshuar pa bashkëpunimin e qeverisë së një vendi. Sidoqoftë, ndikimi i vetëm i urdhrit është izolimi i udhëheqësit rus, duke e penguar atë të udhëtojë në ndonjë nga 123 shtetet anëtare të gjykatës.
Top Channel