Takimi në Ohër/ Kurti mesazh opozitës, thirrje BE-së: Serbia iu shmang nënshkrimit, u takon ju të gjeni mekanizmin për ta bërë marrëveshjen të detyrueshme

19/03/2023 10:47

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar sërish për rezultatin e takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër.

Përmes një mesazhi në Twitter, Kurti shkruan se pala kosovare ka shkuar në Ohër me qëllime të mira dhe këtë e ka treguar edhe gjatë takimeve të djeshme. I ndalur tek pala serbe, kreu i qeverisë kosovare nuk heziton të rikujtojë se ka qenë Serbia ajo që iu shmang nënshkrimit të ankesit sikurse veproi edhe në Bruksel.

Kryeministri thekson se i takon Bashkimit Evropian të gjej një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen ligjërisht dhe ndërkombëtarit të obligueshme.

“Ne kemi ardhur në Ohër me qëllime të mira dhe kemi treguar mirëbesim gjatë takimeve të djeshme. Falënderoj Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, emisarin Miroslav Lajçak dhe emisarin e SHBA-ve, Gabriel Escobar për angazhimin e tyre të palëkundur, si dhe Maqedoninë e Veriut për mikpritjen e tyre të ngrohtë.

Tani kemi arritur një marrëveshje për një aneks implementues të Marrëveshjes Themelore. Serbia, ashtu si në takimin e fundit në Bruksel, iu shmang nënshkrimit të Marrëveshjes dhe tani edhe Aneksit. I takon BE-së të gjejë një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të detyrueshme”, ka shkruar Kurti.

Kujtojmë se, mesazhi i Kurtit vjen edhe pas akuzave të kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili deklaronte se e vetmja gjë që kryeministri i solli Kosovës është një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me Asociacion.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA