Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se do të zbatojë Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënies me Kosovën deri në “vijat e saj të kuqe” që janë: njohja e pavarësisë dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB.

Përmes një konference mediatike, Vuçiç iu drejtua qytetarëve për të shpjeguar se çfarë ndodhi gjatë takimit në Ohër. Sipas tij, pala serbe nuk ka nënshkruar asgjë sepse Kosova nuk është shtet i njohur në mënyrë ligjore ndërkombëtarisht me të cilin mund të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare.

Sipas Vuçiç, derisa të mbërrihet tek vijat e kuqe, Serbia mund të punojë në zbatimin e asaj që është rënë dakord.

“Dje patëm një raund dialogu që fuqitë evropiane dhe botërore e bënë shumë të rëndësishme në media. Bisedimet nuk janë asnjëherë të lehta sepse kemi të bëjmë me palë kundërshtare që kanë interesa të ndryshme”, tha Vuçiç, duke vijuar dhe lexuar të gjithë aneksin që u negociua dje.

Në referencë të tekstit të aneksit, presidenti tha: “Kjo nuk është veçanërisht e vështirë për ne. Do të ketë gjëra shumë më të vështira për ne në të ardhmen”. Sipas udhëheqësit serb, Serbia nuk varet më vetëm nga vullneti i mirë i Prishtinës, “por edhe nga shkalla në të cilën jemi gati të bëjmë disa gjëra kur flasim për rrugën evropiane”.

“Nuk kam nënshkruar asgjë sepse Serbia është një vend i njohur ndërkombëtarisht dhe Kosova nuk është për mua. Dhe nuk dua të bëj marrëveshje juridike ndërkombëtare me Republikën e Kosovës”- tha Vuçiç.

“Unë them se do të zbatojmë shumicën e gjërave, por nuk do të zbatoj asgjë për OKB-në, as për atë që ka të bëjë me njohjen de facto dhe de jure të Kosovës”, tha Vuçiç.

“Serbia dëshiron normalizimin e marrëdhënieve sepse nuk mund të jetohet me mure. Por ne kemi një punë të madhe përpara nesh”- tha presidenti serb, duke iu referuar veçanërisht problemit të personave të zhdukur, i cili duhet të diskutohet.

Sa i përket JSO-së, presidenti tha se është shumë e rëndësishme që në Aneks të përmenden marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut.

“Z. Kurti përmendi planin e Ahtisaarit. Serbia nuk e ka miratuar atë plan dhe nuk është pjesë e procesit të dialogut. Kurti prezantoi tre shtyllat e tij për ZSO-në, të cilat nuk u pranuan” – tha Vuçiç, duke treguar se në Asociacioni i Komunave Serbe ka dokumente të nënshkruara nga vitet e kaluara.

Presidenti theksoi se Asociacioni i Komunave Serbe (ZSO) është i rëndësishëm për popullin serb.

“Ne ende kemi një numër pak më të madh të njerëzve që jetojnë në jug të Ibrit. Të gjithë ata që jetojnë në jug të Ibrit jetojnë si në një geto. Ata nuk kanë asnjë kuadër institucional. Të gjithë presin të kapin dorën në Mitrovicën e Kosovës. Ne kemi nevojë për JSO kudo ku jetojnë serbët, por shumë më tepër në jug sesa në veri”- u shpreh ndër të tjera Vuçiç, duke theksuar se Serbia ka luftuar për të zbatuar atë që është rënë dakord edhe pse pala kosovare nuk është e gatshme për këtë.

I vetëdijshëm për “ujërat në të cilat lundron”, Vuçiç shprehet se pret që të ketë shumë telashe për Asociacionin e Komunave Serbe.

“Ajo që thuhet saktësisht (në aneks) është zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialog. Jemi të kënaqur me atë që është arritur në dialog. Nëse nuk përmbushet, na takon ne të marrim vendime se çfarë do të përmbushim”- tha Vuçiç, duke shtuar se pret që të fillojë procesi i formimit të Asociacionit të Komunave Serbe dhe se çështja është se sa do të zgjasë dhe se është mirë që nuk janë caktuar afate.

Teksa bëri me dije se gjatë bisedimeve të djeshme teksti është ndryshuar 12 herë, udhëheqësi serb ka përsëritur se Serbia është e gatshme të punojë në zbatimin e marrëveshjes nga viti 2011, sidoqoftë në të ka edhe gjëra që as mund të bëhen dhe as janë realiste.

“Nuk ka ndryshuar shumë për ne, përveç se tani rruga jonë evropiane do të varet nga ajo që do të bëjmë në këtë çështje, të cilën nuk besoj se do ta përfundojmë në tre-katër vitet që jam president”, shtoi Vuçiç, duke theksuar se “kjo është e rëndësishme që ne të jemi në rrugën evropiane”.

“Për ne është e rëndësishme që të krijojmë një mjedis në të cilin serbët në Kosovë dhe Metohi do të jenë të sigurt dhe populli ynë do të ketë paqe kudo që jeton dhe gjithmonë ta ruajmë vendin tonë dhe të respektojmë Kushtetutën. Kjo nuk është gjithmonë e lehtë sepse presionet e jashtme të bëjnë të heqësh dorë nga e treta. E kam bërë të ditur pa mëdyshje se këtë herë të tretë nuk do ta bëj”, tha Vuçiç, raportojnë mediet serbe.

Presidenti serb informoi se do të ftojë partitë parlamentare në takime në ditët në vijim. Sakaq, një vizitë së shpejti do ta ketë edhe në Republikën e Kosovës.

Kërshërisë së gazetarëve për deklaratat e Kurtit, Vuçiç iu përgjigj duke përsëritur se nuk do të nënshkruajë asgjë.

“Kam dhimbje të padurueshme në dorën e djathtë, dhe unë zakonisht firmos me dorën e djathtë kështu që… Kjo dhimbje do të vazhdojë edhe për katër vitet e ardhshme”, përfundoi Vuçiç.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA