Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç po zhvillojnë takime sot në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të diskutuar rrugët dhe ritmin e zbatimit të një plani perëndimor për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Ndërmjetësues të takimit janë shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Në cilësinë e vëzhguesit është i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në tryezë të diskutimeve gjendet aneksi i zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha se ka pranuar komente nga Kosova dhe Serbia lidhur me udhërrëfyesin e zbatimit të planit evropian.

Ai tha se gjatë bisedimeve të sotme do të punohet për “një version të konsoliduar të aneksit, mbështetur në komentet e tyre. Dhe pastaj, shpresoj që Kosova dhe Serbia do të bien dakord me rezultatin përfundimtar të këtyre bisedimeve. Ky aneks për zbatimin do të jetë pjesë integrale e marrëveshjes, pasi ne do të saktësojmë se si do të zbatohen dispozitat e saj”, tha zoti Borrell, duke shfaqur shpresën se në Ohër do të ketë një mundësi të veçantë që Kosova dhe Serbia të përparojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve. “Sytë e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor janë në Ohër sot”, shkroi ai të shtunën.

Nuk pritet ndonjë nënshkrim marrëveshjeje në bisedimet e sotme. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se do të ketë bisedime për planin e zbatimit, sepse nuk ka tekst të përfunduar. “Përderisa nuk ka tekst të përfunduar, nuk mund të ketë përfundim të bisedimeve, e përderisa nuk ka përfundim të bisedimeve, nuk mund të ketë marrëveshje”, tha Kurti duke shprehur besimin se do të ketë përparime në takim.

Përveçse jam optimist, kam ardhur me qëllim të mirë, me vullnet të mirë dhe në mirëbesim që dakordimin e arritur më herët, që fatkeqësisht nuk u nënshkrua në Bruksel më 27 shkurt, ta vazhdojmë përmes bisedimeve për planin e zbatimit dhe në këtë mënyrë ta rrumbullakojmë marrëveshjen për normalizim…”, tha ai.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se nuk planifikon të nënshkruaj asgjë në takimin e së shtunës dhe se nuk do të heq dorë nga vijat e kuqe të Serbisë kundruall Kosovës, duke ju referuar qëndrimeve të tij kundër mundësisë së anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Kurti dhe Vuçiç e kanë pranuar në parim propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt.
Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave.

Po ashtu, kërkon nga të dyja vendet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, si dhe të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

SHBA-ja e ka mbështetur propozimin e BE-së, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA