Qeveria kineze e konfirmoi: Presidenti i Kinës, Xi Jinping viziton në 20 mars Moskën në përpjekje për të avancuar planin e paqes që synon fundin e luftës në Ukrainë, por ku do të tregojë ndërkohë edhe mbështetje për shefin e Kremlinit, Vladimir Putin.
Ekzekutivi rus njoftoi se “gjatë bisedimeve do të diskutohen çështje aktuale të zhvillimit të mëtejshëm të partneritetit gjithëpërfshirës dhe bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve.
E po kështu, është planifikuar dhe një shkëmbim pikëpamjesh në kuadrin e thellimit të bashkëpunimit ruso-kinez në arenën ndërkombëtare. Plani 12 pikësh i paqes që propozon Pekini mbi një zgjidhje “politike të krizës në Ukrainë”, thekson nevojën që të dyja palët ta ulin gradualisht përshkallëzimin e konfliktit deri në një armëpushim gjithëpërfshirës.
Aty kërkohet mbrojtja e civilëve dhe respektimi i sovranitetit të të gjitha vendeve, pavarësisht se Kina vetë ndërkohë, nuk e ka dënuar pushtimin e Rusisë.
Kievi nuk është pajtuar me planin pasi sipas tij, aty nuk nënvizohet fakti që Rusia duhet të tërhiqet nga kufijtë e vendosur të Ukrainës që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Por ai nuk e ka rërzuar plotësisht idenë, e thotë se mund të pajtohet me disa pjesë të këtij propozimi.
Top Channel