Fotot e publikuara të premten nga media shtetërore tregonin udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un, së bashku me vajzën e tij, duke ndjekur nisjen e asaj që Koreja e Veriut tha se ishte një raketë ndërkontinentale balistike Hwasong-17.
Koreja e Veriut e bëri nisjen stërvitore në përgjigje të “stërvitjeve luftarake në shkallë të gjerë dhe agresive të Shteteve të Bashkuara dhe të tradhtarëve kukulla koreanojugorë”, deklaroi Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve, organ zyrtar mediatik i Koresë së Veriut.
“Do t’i bëjmë ta kuptojnë vetë se sa më tej të zgjaten dhe zgjerohen manovrat e tyre ushtarake kundër DPRK-së, aq më serioz do të jetë kërcënimi i pakthyeshëm për ta”, u citua të thoshte udhëheqësi Kim, duke përdorur akronimin për emrin zyrtar të Koresë së Veriut.
Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut janë duke bërë një stërvitjeje të madhe të përbashkët ushtarake që zgjat 11 ditë, dhe e cila përfshin stërvitjet më të mëdha në terren të aleatëve në pesë vitet e fundit. Stërvitjet u shtuan gjatë vitit të kaluar, pasi Koreja e Veriut lëshoi një numër rekord raketash.
Në një konferencë të enjten, zëdhënësi i Pentagonit, Gjeneral Brigade Patrick Ryder përsëriti qëndrimin e Shteteve të Bashkuara se stërvitjet “kanë natyrë mbrojtëse dhe synojnë të forcojnë ndërveprimin tonë dhe synojnë të pengojnë agresionin e mundshëm në rajon”.
Gjenerali Ryder tha se reagimi i Koresë së Veriut ndaj stërvitjeve është “i papërshtatshëm… destabilizues dhe shqetësues”.
Ndërsa Koreja e Veriut këmbëngul se lëshimi i saj më i fundit ishte një përgjigje ndaj stërvitjeve, në realitet ajo ka lëshuar raketa, përfshirë ato ndërkontinentale, në një nivel të intensifikuar prej më shumë se një viti.
Në vitin 2022, Koreja e Veriut lëshoi më shumë se 90 raketa, ky është deri më tani numri më i lartë i raketave të nisura ndonjëherë në një vit të vetëm. Në fillim të nëntorit, ajo lëshoi 23 raketa në një ditë të vetme.
Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut kanë paralajmëruar prej muajsh se Koreja e Veriut ka përfunduar përgatitjet për një tjetër provë bërthamore, e cila do të ishte e shtata që nga viti 2006.
Koreja e Veriut ka shumë arsye të mundshme për kryerjen e provave të armëve, përfshirë zhvillimin e aftësive të reja, demonstrimin e kapaciteteve parandaluese dhe sinjalizimin e vendosmërisë për popullin e saj.
Nisja e raketës ndërkontinentale të së enjtes erdhi vetëm disa orë përpara takimit të Presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol në Tokio me Kryeministrin japonez Fumio Kishida.
Takimi me simbolikë të lartë Yoon-Kishida kishte për qëllim të sinjalizonte një gatishmëri më të madhe nga Seuli dhe Tokio për të lënë pas armiqësitë historike dhe për t’u përqëndruar tek rreziqet e përbashkëta, si Koreja e Veriut.
Koreja e Veriut ka reaguar me zemëratë ndaj rritjes së bashkëpunimit të sigurisë Japoni-Kore e Jugut, si dhe ndaj bashkëpunimit trepalësh me Shtetet e Bashkuara.