Shefi i Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 në Tiranë është pezulluar për 30 ditë nga puna pas komenteve tallëse mes policëve për një vajzë të mitur.
Mesazhet jo etike mes tyre janë publikuar në rrjete sociale dhe pas kësaj u mor masa nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Komisari R. D. akuzohet për shkelje të rëndë disiplinore, të parashikuar nga neni 204 i rregullores së Policisë së Shtetit.
Policia e Shtetit
Në lidhje me një postim në rrjetet sociale, në të cilin pasqyrohet komunikimi joetik në një grup komunikimi në platformën WhatsApp, midis disa punonjësve të Policisë të Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë, ju bëjmë me dije se: Menjëherë pas marrjes dijeni, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka pezulluar nga detyra, për një periudhë 30-ditore, Shefin për Krimet në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në DVP Tiranë, Komisar R. D., për shkelje të rëndë disiplinore, të parashikuar nga neni 204 i rregullores së Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e AMP-së, vijon punën për kryerjen e një hetimi të plotë administrativ për këtë rast. Policia e Shtetit është e vendosur për të ndëshkuar cilindo punonjës policie që cenon imazhin e Policisë dhe besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.
Top Channel