Përfaqësuesit e lartë evropianë kanë bërë thirrje për arritjen e konsensusit të brendshëm politik në Maqedoninë e Veriut për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, në mënyrë që vendi të ecë përpara drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Pas zhvillimit të takimit të 16-të të Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, i cili për herë të parë u mbajt në Shkup, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell dhe Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, mbajtën një konferencë të përbashkët në të cilën mori pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell tha se mbajtja e mbledhjes në Shkup, e jo në Bruksel, bëhet për të vlerësuar progresin e Maqedonisë së Veriut.

“Mbajtja e mbledhjes këtu sot, vërtet tregon se BE po ju afrohet dhe gjithashtu tregon se Ballkani Perëndimor janë dhe do të vazhdojnë të jenë prioritet kyç për BE-në dhe një pjesë e rëndësishme e dimensionit tonë gjeopolitik”, tha Borrell.

Ai u shpreh se me miratimin e kornizës negociuese në korrik të vitit të kaluar, dera për anëtarësim të plotë është hapur, duke shtuar se sot kishin rastin të shohin çfarë ka arritur Maqedonia e Veriut në aspekt të plotësimit të kritereve ekonomike dhe politike.

Borrell theksoi se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE, pasi sipas tij, “vetëm të bashkuar do të mund t’u përballemi me sfidat e mjedisit të vështirë gjeopolitik”.

Ai bëri thirrje për krijimin e kushteve për miratimin e amendamenteve kushtetuese që burojnë nga korniza negociuese, ku parashikohet edhe inkuadrimi i bullgarëve në Kushtetutë si pakicë kombëtare.

“Ky vit është një vit kyç. Marrëveshja e korrikut është marrëveshja më e mirë që ju mund të fitoni dhe nuk është reale të besoni se kjo mund të rihapet për negociata të reja. E ardhmja juaj në BE mbështetet në këtë bazë. Tani është koha që partitë politike të zbatojnë përgjegjësitë e tyre dhe të punojnë seriozisht për të vazhduar në këtë rrugë”, tha Borrell.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA