I dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit në rundin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Kështu konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Ambasada amerikane në Shkup.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Escobar do të udhëtojë për në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të mbështetur këtë proces”, thanë për REL-in nga Ambasada amerikane në Shkup.
Në takimin midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, blloku evropian pret që liderët të pajtohen për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve.
Kurti dhe Vuçiç më 27 shkurt u pajtuan se nuk ka më nevojë për negociata për propozimin dhe shprehën gatishmërinë për të punuar në planin e zbatimit.
Më 18 mars, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i bllokut për dialogun, Mirosllav Lajçak, fillimisht do të mbajnë takime dypalëshe me Kurtin dhe Vuçiç, dhe më pas është paraparë të mbahet takimi i përbashkët.
Takimet dypalëshe pritet të nisin paraditen e së shtunës. Kryeministri Kurti është shprehur i gatshëm që gjatë takimit të Ohrit të nënshkruajë propozimin evropian, por Vuçiç ka shprehur qëndrimin se nuk i shkon “në mendje” të nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”.
Propozimi i BE-së synon t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të raporteve. Ky propozim ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara, që ka argumentuar se “nuk ka marrëveshje më të mirë”.
Escobar, gjatë një konference për media në Beograd më 16 mars, u bëri thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të jenë konstruktivë dhe fleksibil gjatë takimit të Ohrit.
“Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon”, tha zyrtari amerikan.
“Pritjet tona janë që të dy liderët të jenë në gjendje të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe që ata do të punojnë për ta bërë këtë marrëveshje realitet. Të mendojnë për pengesat, të kërkojnë mënyra për t’i kapërcyer ato dhe të largohen nga takimi duke kuptuar se do të vazhdojnë të punojnë deri në zgjidhje”, shtoi ai.
Propozimi, teksti i të cilit është bërë publik nga BE-ja, përbëhet nga 11 nene. Aty nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.
Propozimi përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Lajçak ka deklaruar se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është kusht për zbatimin e propozimit evropian.
Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin – më 2013 dhe 2015 – por, kryeministri Kurti vazhdimisht është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.
Megjithatë, së fundmi ai ka thënë se Kosova po trajton 15 modelet evropiane për Asociacionin, që ia ka ofruar BE-ja.
SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht i kanë bërë thirrje Kosovës që ta themelojë Asociacionin. Escobar tha në Beograd se formimi i Asociacionit është më afër sesa ishte një muaj më parë.
“Mund të them se bisedimet tona me Qeverinë e Kosovës po bëhen gjithnjë më produktive dhe realiste. Shpresoj se ne jemi shumë më afër kësaj sesa disa javë më parë”, deklaroi Escobar.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 gjeti se disa pika të marrëveshjes për Asociacionin nuk janë në harmoni me Kushtetutën, por mund të harmonizohen.
Kurti ka shprehur drojën se një asociacion me kompetenca ekzekutive do t’i ngjasonte një Republike Sërpska, sikurse në Bosnjë e Hercegovinë. Por, Brukseli dhe Uashingtoni kanë thënë se nuk duan që në Kosovë të krijohet një entitet serb, ashtu sikurse është në Bosnje./REL
Top Channel