Më 16 mars, ushtria ukrainase raportoi se trupat ruse kishin kryer sulme të shumta në pozicionet ukrainase në dhe rreth qytetit të Bahmutit brenda 24 orëve të fundit, duke vazhduar luftimin intensiv disamujor për kontrollin e qytetit në rajonin lindor të Donjeckut.
Sipas njoftimit të përditshëm të lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, trupat ukrainase zmbrapsën me sukses “sulme të shumta” në zonat veriore dhe perëndimore të Bahmutit, veçanërisht në Orikovo-Vasilivka dhe Bodanivka.
Forcat ruse vazhdojnë të përparojnë drejt qendrës së qytetit, duke prerë linjat e furnizimit me energji elektrike, në përpjekje për ta rrethuar qytetin.
“Rusia vazhdon të kryejë sulme, pavarësisht humbeve”, thuhet në raport, ku shtohet se në të njëjtën kohë forcat e Moskës kanë përparuar në zona tjera kyçe në rajonin e Donjeckut, me fokus në Liman, Avdivka, Marinka dhe Shaktarsk, me më shumë se 75 sulme në 24 orët e fundit.
Rusia gjithashtu kreu një sulm me raketa në qytetin lindor të Kharkiv, ku kishte cak shkatërrimin e infrastrukturës energjetike dhe civile, tha ushtria.
Ndërkohë, zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral Pat Ryder paralajmëroi se muajt në vijim do të jenë vendimtarë për rezultatin e betejës për Ukrainën lindore.
“Mendoj se është gjithashtu e rëndësishme të bëjmë një hap prapa dhe të shikojmë progresin që është arritur, duke pranuar faktin që përpara pret një luftë të vështirë, veçanërisht teksa kalojmë në pranverë dhe verë”, tha Ryder në një konferencë në Pentagon, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bëjnë gjithçka që është e mundur për të përmbushur nevojat ushtarake të Ukrainës.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha në një takim virtual të të ashtuquajturit grupi Ramstein i dhjetëra vendeve që kanë ofruar armë për Kievin, se gjithsej nëntë vende janë zotuar të furnizojnë Ukrainën me 150 tanke Leopard.
Austin tha se mbrojtja e Ukrainës ka arritur “momentin e saj vendimtar”, pasi Rusisë tani “po i mbarojnë opsionet”.
“Rusisë i është dashur të mbështetet në Iranin dhe Korenë e Veriut dhe të përdorë pajisje të Luftës së Dytë Botërore. Kështu që Rusisë po i mbarojnë mundësitë dhe miqtë”, tha Austin.
Gjenerali amerikan Mark Milley, kryetar i Shefave të Përbashkët të Shtabit, tha pas takimit të grupit Ramstein se Rusia po bën përparime të vogla taktike pranë Bahmutit, por “me kosto të madhe”.
Milley deklaroi se liderët ushtarakë të Rusisë nuk po mbështesin efektivisht trupat e tyre, dhe ai gjithashtu nënvizoi se rezervat ushtarake të tyre po shterohen me një ritëm të shpejtë./REL
Top Channel