Greva mbarëkombëtare kundër planit të Macronit për moshën e pensionit

16/03/2023 10:14

Mijëra njerëz në Francë iu bashkuan një greve mbarëkombëtare të mërkurën, në përgjigje të planit të presidentit Emmanuel Macron për të rritur moshën e daljes në pension nga 62 në 64 vjeç.

Ndryshimi i propozuar kërkon që punëtorët të paguajnë më shumë në sistem dhe u mohon një pension të plotë atyre që pensionohen në moshën 64 vjeçare, pa punuar për 43 vjet.

Plani është promovuar si qendror për vizionin e Macron për ta bërë ekonominë franceze më konkurruese, por sindikatat kanë e kanë kundërshtuar dhe e kanë quajtur shtyrjen e moshës për pensionim si “mohim i demokracisë”.

Greva vjen në mes të trazirave të përhapura në të gjithë Evropën Perëndimore, duke përfshirë një grevë të mësuesve në Britani, dhe një marrëveshje të udhëhequr nga sindikatat e punëtorëve për të rritur kostot e sigurimeve shoqërore për ata që fitojnë më shumë në Spanjë.

Greva në Francë ka shkaktuar ndërprerje në transportin publik dhe ndërprerje në grumbullimin e plehrave, kurse protestuesit janë përplasur me policinë në disa qytete.

Komisioni i ligjvënësve përgjegjës për avancimin e propozimit ka rënë dakord për tekstin përfundimtar dhe shumica konservatore e Senatit pritet ta miratojë atë që të enjten.

Megjithatë, situata në Asamblenë Kombëtare është më e ndërlikuar, pasi aleanca e Macron humbi shumicën në zgjedhjet legjislative vitin e kaluar, duke e detyruar qeverinë të llogarisë në votat e konservatorëve për të miratuar projektligjin.

Të majtët dhe ligjvënësit e ekstremit të djathtë kundërshtojnë ashpër ndryshimin, dhe konservatorët janë të ndarë, duke e bërë rezultatin të paparashikueshëm.

Megjithatë, Macron mund të përdorë fuqinë e tij të veçantë kushtetuese për ta kaluar projektligjin në parlament pa votim, por ai mund të përballet me sfida ligjore.

Pavarësisht protestave, një sondazh tregon kundërshtim të gjerë ndaj projektligjit të pensioneve./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA