Franca vështirësi për të ushtruar ndikimin e saj në Afrikë dhe Evropë

15/03/2023 16:48

Vizita e presidentit francez Emmanuel Macron në Afrikën Qendrore mori vlerësime të ndryshme nga analistët, disa prej të cilëve shprehën skepticizëm lidhur me përpjekjet e Francës për të ripërtërirë marrëdhëniet me kontinentin.

Kjo është pjesë e sfidave në shkallë më të gjerë të presidentit Macron për të ruajtur ndikimin francez, jo vetëm në Afrikë, por edhe në Evropë, mes ndryshimeve të shpejta të klimës politike, të shkaktuara nga lufta në Ukrainë dhe rritja e ndikimit rus.

Presidenti Emmanuel Macron e përfundoi turneun katër ditor të në katër vende të Afrikës Qendrore, me një ndalesë në Kinshasa, ku u prit me një shfaqje muzikore. Por, gjithçka nuk shkoi me këtë ton të lehtë.

Në Republikën Demokratike të Kongos, e cila nuk ka qenë koloni e Francës, një grup njerëzish protestuan kundër vizitës së zotit Macron.

Presidenti francez mund të ndeshet me një rrugë të vështirë në strategjinë e tij të ripërtërirë për Afrikën, të cilën ai e provoi në turneun e tij të fundit në këtë kontinent, që përfshinte ndalesa edhe në Gabon, Angolë dhe Republikën e Kongos.

“Kjo nuk mund të shihet si një vizitë e suksesshme për disa arsye. Së pari, ajo tregoi se Franca ka ende marrëdhënie të mira me regjimet autoritare. Së dyti, presidenti Macron u tregua sërish shumë arrogant me udhëheqësit afrikanë”, thotë Niagale Bagayoko nga organizata Rrjeti i Sektorit Afrikan të Sigurisë.

Në shkurt, zoti Macron njoftoi politikën e tij mbi Afrikën, e cila përfshin pakësimin e pranisë ushtarake dhe përpjekjet për të vendosur marrëdhënie të balancuara dhe me respekt të ndërsjellë me vendet e kontinentit.

Në ish-kolonitë e saj, Franca po konkurron për të ruajtur ndikimin me vendet si Kina dhe Rusia.

Ndikimi francez po sfidohet edhe brenda Bashkimit Evropian. Disa analistë thonë se lufta në Ukrainë i ka bërë më të rëndësishme vendet e Evropës Lindore, si Polonia, me pikëpamje shumë më agresive ndaj Rusisë, duke ia ulur rëndësinë vendeve tradicionalisht të fuqishme perëndimore si Gjermania dhe Franca.

Vendet e Evropës Lindore dhe Ukraina i kanë kritikuar thirrjet e presidentit Macron për të vazhduar dialogun me Rusinë dhe për të marrë në konsideratë nevojat e saj për garanci në fushën e sigurisë.

“Vendet e Evropës lindore, si Polonia dhe vendet baltike vërtetë kanë marrë rol udhëheqës në përpjekjet për një përgjigje të fortë ndaj agresionit rus në Ukrainë. Vendet si Franca, nuk do të thosha se janë lënë anash, por disa politika të kaluara të Francës kundrejt Rusisë, nuk janë popullore”, thotë Amanda Paul nga Qendra e Politikave Evropiane.

Kritikët thonë se thirrjet e presidentit Macron për krijimin e një mbrojtje autonome Evropiane nuk kanë marrë mbështetje nga vendet e tjera.

“Evropianët, veçanërisht francezët, janë shumë të mirë me fjalë. Por kalimi nga fjalët tek veprat është një gjë tjetër”, thotë analistja Amanda Paul.

Megjithatë, disa analistë besojnë se Franca do të mbetet një vend i rëndësishëm për Evropën, ku konflikti në Ukrainë nuk është sfida e vetme.

“Për çështjet e tjera themelore të shtrirjes së ndikimit të Bashkimit Evropian në botë, si çështjet fiskale, emigracioni, tregu i energjisë, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, rol kryesor luajnë Parisi, Berlini, Brukseli dhe disa kryeqytete të tjera. Diskutimet për këto çështje nuk janë zhvendosur në lindje”, thotë Martin Quencez nga Fondi Gjerman Marshall.

Lufta në Ukrainë e ka bërë mbrojtjen përparësi kryesore të Evropës. Analistët si Martin Quencez besojnë se vizioni i presidentit Macron për më shumë pavarësi ushtarake të Bashkimit Evropian mund të marrë më shumë mbështetje, nëse në zgjedhjet e vitit të ardhshëm në Shtetet e Bashkuara fiton një udhëheqës me më pak angazhim dhe entuziazëm për aleancën transatlantike dhe investimet e mundshme afatgjata në konfliktin me kosto të lartë në Ukrainë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA